26/04/2024
8.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Stuhia e djeshme në Shkup: rreth 450 thirrje për ndihmë, mbi 20 automjete të dëmtuara

Në periudhën prej orës 16:00 deri në ora 19:30 janë pranuar rreth 450 thirrje në numrin 112. Ka më shumë se 30 drunj të rrëzuar dhe disa shtylla, përkatësisht një pemë ka rënë mbi një veturë në Butel, me ç’rast janë lënduar dy persona. Njëri me lëndim në kokë, ndërsa tjetri me lëndim në krah dhe këmbë. Nuk kemi informacion zyrtar se sa të rënda janë lëndimet, personat komunikonin, por në pamje të parë nuk është diçka më e rëndë, informoi mbrëmë drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza (QMK) Stojançe Angelov për pasojat e stuhisë së madhe që goditi Shkupin, transmeton Portalb.mk.

Ai sqaroi se ka pasur edhe një rast të rrëzimit të shtyllës në lagjen Maxhari, ku telat nga shtylla kanë rënë në një gardh metalik dhe ka ndodhur një qark i shkurtër, por rasti është zgjidhur.

“Sipas informacioneve fillestare janë dëmtuar mbi 20 automjete. Falë NP “Parqe dhe gjelbërim” pemët dhe shtyllat tashmë janë larguar nga rrugët. Aktualisht jemi duke bërë listën prioritare për pompimin e ujit nga shtëpitë dhe objektet. Uji dalëngadalë po tërhiqet dhe një pjesë e tij do të tërhiqet me pompë”, informoi Angelov për gjendjen në kryeqytet.

Ekipet e NP Ujësjellsi dhe kanalizim – Shkup nga ana tjetër, pas stuhisë së madhe dhe të fortë që goditi dje qytetin e Shkupit, janë në terren për pastrimin e kanaleve dhe pusetave, me qëllim të funksionimit normal të kanalizimit atmosferik. Këto aktivitete do të vazhdojnë derisa të mundësohet funksionimi normal i sistemit të kanalizimit atmosferik në të gjitha pjesët e qytetit, njoftoi NP Ujësjellsi dhe kanalizim.

Edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit Danela Arsovska, njoftoi se mbrëmë është thirrur mbledhje urgjente dhe se janë ndërmarrë intervenime për mënjanimin dhe sanimin e problemve në zonat më të prekura.

“Kam thirrur mbledhje urgjente në terren të shtabit për mbrojtje dhe shpëtim të qytetit të Shkupit, aktualisht ekipet janë duke intervenuar në më shumë se 30 lokacione ku ka vërshime pas stuhisë së madhe. Ekipet e përbëra nga ndërmarrjet publike pastrojnë në terren ku do të qëndrojnë deri në sanimin e plotë të problemeve në zonat kritike. Të gjitha ekipet janë mobilizuar dhe ndodhen në terren, përfshirë edhe zjarrfikëset e qytetit të Shkupit, ku me një ndërhyrje të suksesshme arritën të shpëtojnë mbi 20 persona”, tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Ndryshe, dje pasdite Shkupi është goditur nga reshjet e rrëmbyeshme të shoqëruara me erëra të forta, bubullima dhe breshër. Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ftoi mbledhje urgjente të Shtabit të Krizës në Qytetin e Shkupit.

Moti i ligë shkaktoi edhe dëme materiale që tashmë janë duke u riparuar dhe mbrëmë pas një analize të plotë të situatës, shtabi i krizës do të shpallë zgjidhjen e këtyre problemeve, por do të kërkohet edhe përgjegjësi për infrastrukturën joadekuate atmosferike, veçanërisht në bulevardet e qytetit të sapo rikonstruktuar ku u shkaktuan dëmet më të mëdha, shtoi Arsovska.

Të fundit