05/10/2022
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vlerësimi i qeverisjes së mirë, Komunat me drejtues shqiptar në fund të listës

Fondacioni për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, me mbështetje të Projektit të USAID-it për Pjesëmarrje Qytetare bëri vlerësim të gjendjes së qeverisjes së mirë në njësitë e vetëqeverisjes lokale (NJVL) në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021, njofton Observeri – Maqedoni.

Hulumtimi për vitin 2021 zbuloi se shumica e komunave nuk punojnë sa duhet për t’i përmbushur standardet e hapjes. Rezultatet e fushave të ndryshme tregojnë se NJVL-të zbatojnë standarde të ulëta për konsultim, transparencë, monitorim dhe kontroll në punën e tyre.

Hapja mesatare e komunave për vitin 2021 është e ulët, vetëm 25%. Indeksi i hapjes tregoi se në matjen për vitin 2021 rezultate më të mira kanë komuna e Ohrit (51%), Vasilevës (48%) dhe Koçanit (48%), ndërsa në vend të fundit është komuna e Pllasnicës (3%).


Fusha që i lidh të katër parimet janë të dhënat e hapura. Përmbushja mesatare e treguesve të të dhënave të hapura për vitin 2021 është 12%. Në përputhje me Strategjinë për të Dhënat e Hapura, të dhënat e hapura njihen si një mundësi për të përmirësuar qeverisjen në aspekt të transparencës, hapjes dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe atë lokal, e gjithashtu mund të jenë një shtysë e fortë për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, njofton Observeri.

Në kuadër të Indeksit për disa nga treguesit, u analizua në mënyrë shtesë edhe mënyra e publikimit të të dhënave dhe formati i tyre përmes prizmit të hapjes së të dhënave. Rezultatet tregojnë se komunat publikojnë disa nga dokumentet (grupet e të dhënave) që janë obligim i tyre ligjor, por jo të gjitha. Megjithatë, për herë të parë këtë vit, disa komuna kanë publikuar grupe të të dhënave në formatin plotësisht të hapur (të përpunueshëm nga makina). Ohri, Kavadari, Prilepi, Vasileva, Zërnovci, Aerodromi, Shtipi, Gjorçe Petrov, Vevçani, Zhelina, Kumanova dhe Rosomani për herë të parë këtë vit publikuan në ueb-faqet e tyre grupe të të dhënave në format të përpunueshëm nga makina.

Edhe pse numri i komunave nuk është i madh (12), ky është një përparim i rëndësishëm në funksionimin e këtyre NJVL-ve dhe një hap i madh përpara në përpjekjet e tyre për të promovuar hapjen në punë. Portali Kombëtar i të Dhënave të Hapura, data.gov.mk, deri më sot përmban 281 grupe të dhënash të publikuara nga 57 subjekte, kurse vetëm 3 prej tyre janë NJVL. Raporti i plotë për vitin 2021 është në dispozicion në linkun e mëposhtëm.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore përmbushin vetëm 27% të treguesve të përfshirë në nën-fushën e transparencës financiare. Komunat duhet të publikojnë më shumë të dhëna dhe informacione mbi buxhetin dhe shpenzimin e parave publike, sepse kjo kontribuon në zvogëlimin e korrupsionit, si dhe në sigurimin e pjesëmarrjes efektive të qytetarëve në procesin e buxhetimit. Në nën-fushën e transparencës financiare, hulumtimi tregoi se rezultate më të mira ka komuna e Karposhit (58%), ndërsa më ulët janë vlerësuar komunat e Tearcës, Sarajit, Studeniçanit, Sopishtës, Probishtipit, Vrapçishtit dhe Haraçinës, të cilat nuk publikojnë asnjë të dhënë për punën e tyre financiare.

Indeksi i hapjes vlerëson performancën e pushtetit lokal në fushën e qeverisjes së mirë duke u fokusuar në katër parime: (1) transparenca, (2) vetëdijësimi, (3) qasshmëria dhe (4) integriteti dhe në një fushë të përbashkët të pranishme në të katër parimet – të dhënat e hapura. Observeri Maqedoni

Të fundit