Mbi 4 milionë denarë, janë investuar në Shkollën Fillore Komunale, Andreja Saveski – Kikish, në Tetovë për fasadën dhe infrastrukturën e së njejtës. Kjo shkollë e përfundoi sot vitin shkollor me vizitën e ministres së Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Sipas Kasamit kjo shkollë është model i bashkëpunimit mes komunës ministrisë dhe shkollës, dhe një përkujtim për drejtorët e shkollave që nëse angazhohen do të kenë edhe përkrahjen e komunës edhe të ministrisë.
“Bëhet fjalë për një investim mbi 4 milionë denarë, për rregullimin e fasadës së shkollës, dhe kjo shkollë përfundimisht bëhet ndër shkollat e Tetovës e cila I plotëson të gjitha kushtet edukative arsimore për mësimnxënie dhe për aktivitete të tjera të cilat janë në kuadër të gjithë procesit. Me investimet paraprake që janë bërë në këtë shkollë me sallën dhe me rregullimin e oborrit, kjo është ndër shkollat më mirë të rregulluara në komunën tonë dhe është një shembull se si edhe shkollat tjera duhet të punojnë në drejtim të kushteve më të mira për nxënësit tonë.”
Ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se infrastruktura e mirë e shkollave është priorteti ynë I përbashkët dhe të rinjtë do të jenë gjithmonë primarë në aktivitet e ardhshme të tyre.
Vesna Janevska- Ministre e Arsimit dhe Shkencës
“Ndjej kënaqsi që sot të tregojmë se bashkëpunimi mes qeverisë, vetëqeverisjes lokale dhe menaxhmentit të shkollës mund të krijojnë vepra të mira. Rregullimi i infrastrukturës së shkollës, jep motiv edhe për nxënësit edhe për mësimdhënësit, dhe për të mirën tonë të përgjithshme. Në këtë mënyrë, do të ndryshojmë në tërësi pamjen e arsimit në të gjithë Maqedoninë.”
Kasami dhe Janevska, premtuan investime të tjera në të ardhmen në shkollat të cilat kanë nevojë urgjente për investim. Përndryshe, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme sot përfunduan vitin shkollor 2024/2025 dhe deri më 31 gusht do të jenë në pushim veror.
TV KOHA







