28/04/2024
19 C
Tetovo
Ballina Blog

Gripi i shpendëve “te dera”, Romania dhe Bullgaria në alarm/ Mjekët: Kërkohet monitorim i veçantë

Epdeimologet veterinere kërkojnë të rritet monitorimi i shpendëve të egër që në këtë periudhë shtegtojnë në vendin tonë.

“Për momentin vendet më të afërta që kanë praninë e virusit në rajonin tonë janë Bullgaria dhe Rumania. Zakonisht virusi shfaqet tani në pranverë, deri në fund të verës.

Me ardhjen e shpendëve transportojnë edhe virusin e shpendëve”, tha dr Kujtim Mersini, epidemiolog, veteriner dhe pedagog në UBT.

Veterinerët tanë e kanë të pamundur të monitorojnë lagunat ku vijnë e ndalen shpendët e egra pasi nuk kanë automjete.

Ndërkohë që vetëm para dy vitesh gripi shpendëve orteku tre pularitë më të mëdha në vend duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme.

“Risku është gjithmonë i lartë, na u prekën pularitë më të mëdha në vend, dëmi ekonomik ishte shumë i madh.

Risku është gjithmonë pranë, sepse shpendët e egra nuk i kontrollojmë dot”, tha Mersini.

Meta i shkon te shtëpia liderit demokrat: Moj Serbi, murin ta prisha se më thonë Sali Berisha
Edhe pse njihet si një grip që prek vetëm shpendët H5N1 ka alarmuar organizatën botërore të shëndetësisë pasi ka ndryshuar sjellje duke prekur gjitarët.

U promovua gjenerata e re e nëpunësve policorë

Në Qendrën e Trajnimit në Idrizovë sot u mbajt promovimi solemn i nëpunësve të rinj policorë – gjenerata 2023-2024.

Trajnimin njëvjeçar e përfunduan 508 policë të rinj prej të cilëve 416 burra dhe 92 gra.

Kryeministri Talat Xhaferi duke i uruar pjesëtarët e rinj të policisë theksoi se të jesh në vijën e parë të sigurisë është detyrë fisnike dhe në të njëjtën kohë detyrë me shumë përgjegjësi.

“Njohuritë dhe aftësitë të cilat i keni arritur gjatë vitit të kaluar përmes trajnimit intensiv, besoj që si nëpunës të ardhshëm të policisë do t’i zbatoni vazhdimisht në njësitë organizative ku do të shpërndaheni”, tha Xhaferi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski theksoi se policët i pret një etapë e re.

“Së pari do të ju porosis që gjithmonë ta keni në mendje se çdonjëri nga ju është kreator i fatit të tij. Suksesi juaj varet vetëm nga ju. Suksesi juaj duhet të përfundojë vetëm nga profesionalizmi juaj, bashkëpunimi, vullneti i mirë”, theksoi Toshkovski.

Sindikalistët kërkojnë kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe rrugës

Me një letër të hapur drejtuar opinionit Lidhja e Sindikatave thekson se lëvizja punëtore në Maqedoni po përballet me një sfidë serioze për shkak të, siç thekson, qëndrimit të politikëbërësve të cilët kanë treguar se kujdesen vetëm për interesat e veta dhe nuk kujdesen për të drejtat e punëtorëve. Sindikalistët kërkojnë kthimin e shpenzimeve të ushqimit dhe rrugës, që sipas tyre përbën së paku 20% të pagës së punëtorëve në nivel vendi. Në 100 ditëshin e parë të qeverisë së re do të kërkojnë rritje të pagës minimale në 450 euro, duke ndjekur trendin e vendeve të rajonit. Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov tha se nëse nuk arrihet kjo edhe këta pak punëtorë që na kanë mbetur do të braktisin vendin.

Barriera psikologjike ngarkohet kur 60 mijë denarë ka arritur shporta e konsumit minimal, ky është një ‘karton i kuq’ për ata që dyshuan në përllogaritjet e sindikatës, duke u përpjekur të tregojnë se punëtorët mund të jetojnë me pak shpenzime. Ne këtë shportë të konsumin e publikojmë tu tregojmë punëtorëve se nuk mund të jetojnë me pagat që marrin. Lehtë e kanë ata të krijojnë politika me paga 2,500 euro por është vështirë të jetohet me 22,500 denarë”, tha Sllobodan Trendafillov, Kryetar i LSM-së.

Përndryshe, paga mesatare mujore bruto e paguar për punonjës, në shkurt 2024, ishte 58.967 denarë. Paga mesatare mujore neto e paguar për të punësuar në shkurt të këtij viti ishte 39.276 dhe krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar është më e lartë për 16.5%, thuhet në raportin e Entit të Statistikave.

“Kjo rritje vjen mbi të gjitha nga rritja e pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Administratë publike dhe mbrojtje; sigurimet shoqërore të detyrueshme 24.9%, shërbimet administrative dhe ndihmëse 22.5% dhe arti, argëtimi dhe rekreacioni 20.4%. Nga ana tjetër zvogëlim i pagës mesatare mujore neto për punonjës, krahasuar me muajin paraprak, është vërejtur në sektorët: Transport dhe magazinim 10.1%, Miniera dhe gurore 7.2% dhe Bujqësi, pylltari dhe peshkim 6.3%”, thanë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Më 1 maj është paralajmëruar një protestë masive ku punëtorët do të shprehin pakënaqësitë e tyre. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, kërkoi të tregohet vendosmëri në luftën e përbashkët, për një të nesërme më të mirë dhe për të drejta të punëtorëve. Në Ditën Ndërkombëtare të Punës protesta do të nis në orën 11:00 nga para Shtëpisë së Punëtorëve deri te Kuvend – Oda Ekonomike – Qeveri./Alsat.mk

Geer: Raundi i parë i zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësor dhe demokratik

Ambasadorit të Bashkimit Evropian në vend, David Geer, foli për atmosferën e zgjedhjeve se ishte pozitiv dhe inkurajues. Ai thekson se raundi i parë i zgjedhjeve kaloi në një mënyrë paqësore dhe demokratike, duke shpresuar që kjo atmosferë pozitive do të vazhdojë edhe gjatë fushatave për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

“Misioni i OSBE/ODIHR ka nxjerrë tashmë raportin preliminar nga Raundi i Parë i Zgjedhjeve. Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë përgjithësisht paqësore dhe demokratike dhe ne vërtet shpresojmë që në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato edhe në fushatën për zgjedhjet parlamentare të ndërtojnë këtë moment pozitiv që do të lejojë që i gjithë procesi të përfundojë me mesazhe pozitive dhe ndjenjë pozitive”, tha ambasadori evropian David Geer, i cili sot mori pjesë në shënimin e Javës Evropiane të Imunizimit në Gradski Park.

Maqedonia e Veriut: Pak mundësi për të rinjtë në pritje të dokumenteve të udhëtimit për të emigruar

Rreth 700,000 shtetas të Maqedonisë së Veriut, gati një e treta e popullsisë, kanë shkuar për të kërkuar fatin diku tjetër, p.sh. në vendet e Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut është një nga vendet me shkallën më të lartë të emigracionit në mbarë botën.

Një nga emigrantët është edhe Sinisha. Ai punon në Gjermani, ku fiton 2.300 euro në muaj duke punuar në një kantier ndërtimi. E shoqja Ana dhe bija Sofia jetojnë në Shkup. Ana punon si ekonomiste dhe fiton 380 euro. Sinisha ëndërron të kthehet një ditë në shtëpi dhe të jetojë me familjen. Por ai nuk është i sigurt, nëse do të jetë në gjendje t’i ofrojë një të ardhme të bijës në Maqedoninë e Veriut.

Popullsi në tkurrje

Sipas prognozave shoqëria është duke u tkurrur gjithnjë e më shumë, besimi tek politika ka rënë dhe anëtarësimi në BE vazhdon të jetë larg. Kjo shkakton frustrim në gjithë vendin. Kjo të bie mjaft mirë në sy në stacionin e autobusëve të Shkupit, ku sheh mjaft vetë që largohen nga vendi. Burrat shkojnë, familjet qëndrojnë.

Shpesh nga vendi nuk largohet vetëm një pjesëtar i familjes, kryesisht babai, por në shumë raste e gjithë familja. Emigrimi i popullsisë vihet re edhe në shkolla, sidomos në fshatra, që janë duke u zbrazur ngadalë.

Mungesë perspektive

“Numri i nxënësve është duke rënë çdo vit, sepse njerëzit shkojnë në Itali ose Gjermani. Në fillim ikin baballarët, pastaj ata kthehen pas disa muajsh dhe marrin me vete gratë dhe fëmijët. Ata i çregjistrojnë fëmijët nga shkolla dhe e gjithë familja largohet.” – tregon kujdestari i shkollës së një fshati rreth 100 kilometra larg Shkupit, ku tani kanë mbetur vetëm pesë nxënës. “Ju bëj be, se po të isha i ri edhe unë do të kisha ikur. Këtu nuk ke çfarë bën më!” – shton ai.

Kur pyet njerëzit që nisen për emigrim dhe ata që i përcjellin në stacionin e autobusëve të Shkupit për arsyet, ata të thonë: nuk ka punë, ka shumë korrupsion, nuk ka perspektivë./dw.com/

Mexhiti: Ndërmarrjet shtetërore në dorë të qytetarëve! Secilit qytetar do t’i shpërndajmë aksione në vlerë prej 10.000 euro

Izet Mexhiti nga VLEN, gjatë prezantimit të bartësve të listave të koalicionit dhe të programin “Plani 2030” në Tetovë, tha se nëse bëhen pjesë e qeverisë, do të shpërndajnë aksione të ndërmarrjeve publike tek qytetarët.

Mexhiti tha se sipas llogaritjeve të VLEN, secili qytetar do të merrte nga 10.000 euro.

Të nderuar qytetarë, të nderuar bashkëaktivistë të VLEN, të nderuar liderë,

Kam nderin që para jush të fillojë të prezantojë përfaqësuesit tuaj, listën e koalicionit VLEN për zonën 1: Izet Mexhiti, Bekim Sali, Feride Haxhiu, Zeqirja Tairi, Hasim Murtezani, Nafije Selmani, Ismet Iseini, Ibush Jusufi, Safije Iljazi, Liridona Alibojda, Ahmet Ismaili, Nurxhan Asanovska, Fiona Abazi, Astrit Iljazi, Arsim Rustemi, Hamza Ameti, Ilhan Mamuti, Ganimete Jusufi, Anesa Miftari, Faton Fazliu.

Të nderuar qytetarë të Tetovës e të gjithë Maqedonisë së Veriut,

Ne si koalicion VLEN në qeveri do t’i kthejmë ndërmarrjet shoqërore në dorë të qytetarëve. Qeveria do t’u shpërndajë qytetarëve 49% të aksioneve të ndërmarrjeve publike, duke mbajtur për vete 51% të aksioneve, që do të mund të menaxhohen përmes modeleve koncesionare, apo PPP-ve (partneriteti publiku privat).

Vlera e përgjithshme e ndërmarrjeve është afro 20 miliardë euro e kjo do të thotë se secilit qytetar do t’i shpërndajmë aksione në vlerë prej 10 mijë eurosh. Futja e kapitalit privat në ndërmarrjet shtetërore do të sjellë modernizim tek secila ndërmarrje, ndërsa shpërndarja e aksioneve te qytetarët do të sjellë dinamizim ekonomik dhe rritje të mirëqenies tek secila familje.

Votoni koalicionin VLEN më 8 maj, votoni këtë listë të pastër, votoni këta njerëz të ndershëm që do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat tuaja edhe kombëtare edhe shoqërore.

Mirupafshim në fitoren tonë!

Mobilizohet diaspora në Gjermani dhe Itali për VLEN: Vendlindja na thërret, të shkojmë të votojmë më 8 maj

Diaspora shqiptare në Gjermani, gjegjësisht në kryeqendrën gjermane Berlin ka filluar mobilizimin për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Përmes një njoftimi të bërë në rrjetet social njoftohet se do të organizojnë transport falas për të ardhur të mbështesin me votë koalicionin VLEN. Këtë mundësi sipas njoftimit mund ta shfrytëzojnë edhe mërgimtarë që janë në Gjermani.

Një njoftim i ngjajshëm është edhe për mërgimtarët nga Italia, ku po ashtu organizohet transport falas për të gjithë ata që do të vijnë në vendlindje për të mbështetur me votë koalicionin VLEN më 8 maj.

Komisioni do të tregojë nëse duhet të shtrenjtohet sigurimi i automjeteve

Komisioni i Sigurimit të Autopërgjegjësisë do ta shqyrtojë Raportin e Byrosë Nacionale të Sigurimeve për arsyetimin e vendimeve të marra për rritjen e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga shoqëritë e sigurimit dhe do të ndërmarrë hapat e duhur në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.

Me vendimet e miratuara nga ana e shoqërive të sigurimit, të cilat i janë dorëzuar Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimit në datën 23 prill të vitit 2024, ndërsa me zbatim nga data 25 prill të vitit 2024 është kryer korrigjimi i çmimit në pjesën e premisë.

Nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve vlerësojnë se rritja e çmimit të policave për sigurim të detyrueshëm automobilistik është hap i paarsyetueshëm i kompanive të sigurimit.

AGJENCIA E MBIKËQYRJES SË SIGURIMEVE

“Pas njoftimeve të mara nga kompanitë e sigurimeve se do ta rrisin çmimin janë bërë llogaritje për kontroll. Pas llogaritjeve të bëra është konstatuar se rritja e çmimit, me shpjegimet e dhëna, nuk është e arsyeshme”.

Byroja Nacionale e Sigurimeve njofton se kushtet aktuale të tregut shkaktuan domosdoshmëri për ndryshimin e çmimit të policës për sigurimin e detyrueshëm të veturave. Theksojnë se përqindjen e rritjes çdo kompani e sigurimeve vetë e definon, varësisht nga politika afariste dhe analiza e bërë. Nga aty sqarojnë se bëhet fjalë për kompani evropiane të cilat vendimet i marrin në bazë të analizave serioze shumëvjeçare, të cilat tregojnë se, siç thonë, biznesi për sigurim të autopërgjegjësisë është i paqëndrueshëm me çmimet e tanishme.

BYROJA NACIONALE E SIGURIMEVE

 “Rritja e çmimit është shkaktuar nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të risugurimit, automobilave, rritje e çmimit të pjesëve rezervë dhe rritjes së pagave. Rritja e përgjithshme e çmimeve nga viti 2008 deri në vitin 2023 është 61,56 për qind. Njëkohësisht çmimi i sigurimit nga përgjegjësia automobilistike nuk ka ndryshuar tashmë 15 vjet dhe është kategoria e vetme në vendin tonë e cila nuk ka pësuar rritje të çmimit”.

Nga Byroja Nacionale e Sigurimeve, theksojnë se çmimi i sigurimit të autopërgjegjësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është më i ulët në rajon dhe se pa rritje çmimi, ky biznes është i paqëndrueshëm dhe dalëngadalë do të braktiset nga kompanitë e sigurimit.

Me vendimet e marra për rritjen e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve, polica që paguajnë qytetarët për regjistrimin e automjeteve me fuqi mbi 44 kilovat shtrenjtohet me

15,44 për qind. Rritja e çmimit është nga 840 në gati 1.600 denarë, varësisht nga fuqia e veturës. /SHENJA/

Shtatë vjet nga përgjakja e Kuvendit, pandëshkueshmëria vazhdon

Persona të dhunshëm e të maskuar, dyer që u hapën dhe ju lejua atyre të hyninn në institucionin më të lartë ligjvënës, karrike që fluturonin, deputetë e gazetarë që dhunoheshin, tërhiqeshin zvarrë korridoreve e shkallëve, fytyra të gjakosura, turmë e hutuar që vetëm kërkonin gjahun e radhës, situatë totalisht e dalë jashtë kontrollit dhe e pa parë ndonjëherë në një institucion. Këto ishin vetëm disa copëza që përshkruajnë fotografinë e shëmtuar dhe të frikshme, të 27 prillit, të vitit 2017, në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjithçka nisi nga protestat që i organizonte VMRO përshkak se pasi VMRO dhe BDI nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepej mundësi LSDM-së, që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet. Kështu më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar. Më pas më 27 prill, duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit.

Në një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë objektit ligjvënës, derisa kryetari i sapozgjedhur i  Kuvendit Talat Xhaferi, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë dhe të disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të armatosur. Me këtë rast, policia e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja, nuk reagoi fare, duke lejuar që dhunuesit lirshëm të futen në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili u rrah brutalisht nga dhunuesit. Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë.

Fillimisht u akzuan 30 persona. Derisa gjykimi vazhdonte më 18 dhjetor 2018-të në Kuvend u votua Ligji i Amnistisë, sipas të cilit disa prej të akuzuarve, në mesin e të cilëve dhe deputetë nga opozitarja VMRO-DPMNE u amnistuan nga akuza. Disa nga deputetët e amnistuar më 19 tetor 2018, i votuan ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut.

Më 15 mars të vitit 2019-të, Gjykata i dënoi disa prej të akuzuarve me gjithsej 211 vjet burg. Për Gruevskin dhe Boshkovskin u ndalua procedura pasi që ata janë në arrati, gjegjësisht njëri në Hungari e tjetri në Greqi.Emine Ismaili /SHENJA/

(video) Vazhdon kampanja e koalicionit VLEN në Tetovë

Bartësi i Koalicionit VLEN në njësisë zgjedhore 6, Bilall Kasami, së bashku me simpantizantë dhe aktivistë e VLEN marshuam në qytetin e Tetovës për të biseduar me qytetarët dhe për ti informuar me programin e koalicionit VLEN.

Në këtë marsh, Kasami dhe aktivistët e tjerë ndanë programin e koalicionit VLEN, duke informuar çdo qytetar veças për pikat e programit dhe synimet e VLEN për zhvillim ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës, mbrojtjen e mjedisit, si dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shërbimeve shëndetësore etj.

Marshi i sotëm është në vazhdën e aktiviteteve të Koalicionit VLEN, për të takuar çdo qytetar, për të biseduar me ta dhe për ti informuar për synimet e koalicionit VLEN për të përmbushur nevojat dhe aspiratat e qytetarëve.