Të tjera lajme

LIGA E PARË: ARSIMI – STRUGA TRIM LUM HAPIN SIPARIN E XHIROS SË FUNDIT!

 Me ndeshjet e javës së 33-të që në program janë nesër, të dielën dhe të hënën, zyrtarisht përfundon  sezoni  2025/2026  në Ligën e  parë të  futbollit,  ku  tani më  janë njohura të gjitha dilemat sa i përket epilogut të kampionatit.

Ndeshje kryesore e javës së  fundit zhvillohet të shtunën në Shkup, ku përballen kampioni i ri dhe kampioni nga  sezoni i kaluar, Vardari dhe Shkëndija. 

Për skuadrën vendase kjo përballje ka rëndësi të veçantë pasi  zyrtarisht do të promovohet kampion i Maqedonisë së Veriut  ndërsa  për ekipin kuqezi  fitorja do të ishte  një  satisfakcion pas zhgënjimit  në finalen e Kupës.

Takimi  Vardari Shkëndija zhvillohet nesër në ora  18:00.

Në stadiumin  e qytetit  në Gostivar, me  fillim në ora  16:00, skuadra e  Arsimit për herë të parë në këtë kampionat do të del në terren të gjelbër pa asnjë ngarkesë pasi ka siguruar mbijetesën.

Trajneri i ekipit nga Çegrani Vildan Saliju është shprehur me emocione  për suksesin historik duke shpresuar për mbyllje me sukses të sezonit.

“ Jemi në prag  të përfundimit të këtij kampionati futbollistik  që për ne ka qenë një sezon debutues, një sezon me shumë vështirësi, me  shumë probleme por me rëndësi që fundi është i shkëlqyer  dhe  ashtu siç kishim menduar dhe kishim ëndërruar . Domethënë kemi arritur një sezon të jashtëzakonshme ku me ekipin tonë kemi arritur ta  sigurojmë mbijetesën pa ndeshjet e balotazhit. Sigurisht për fatin tonë të keq sivjet edhe sistemi i garave të ligës ndryshoi ku faktikisht prej gjithë atyre ekipeve pesë rrezikojnë rënie  nga kategoria  që  janë ekipe  me shumë  traditë. Për ne si klub, si fshat kemi pasur  një organizim të jashtëzakonshëm. Sigurisht futbolli ka ulje ngritje me rëndësi që i përballuam ato  sfida dhe jemi sot këtu që ndeshjen e fundit ta shijojmë maksimalisht. Domethënë një ndeshje pa ngarkesë kundrejt Strugës edhe pse  do ta  japim maksimumin  që të dalim fitues  që ta  kryejmë këtë mision  me nder dhe  shumë dhe shumë dinjitet “ deklaroi   Vildan Saliju trajner i KF Arsimi

Dy ndeshje  të kësaj jave zhvillohen të dielën me fillim në ora 16:30, ku  përballen  Pelisteri – Bashkimi  dhe  AP Brera – Shkupi, ndërsa  të hënën po me fillim në ora 16:30 takohen:  Rabotniçki – Tikveshi  dhe  Makedonija Gj.P – Sileksi.

Shaban Sinani – TV Koha

Të fundit