Të tjera lajme

FIFA PEZULLON DËNIMIN E BALOGUNIT, SHPËRTHEJNË REAGIMET

Kampionati Botëror në SHBA ka marrë një njollë serioze dhe të errët. Sulmuesi i SHBA-së, Folarin Balogun, i cili u ndëshkua me karton të kuq direkt, megjithatë do të jetë në dispozicion për ndeshjen e 1/8 së finales kundër Belgjikës, pasi FIFA vendosi ta pezullojë dënimin e tij prej një ndeshjeje. Ky vendim i pazakontë dhe tronditës ka ngritur shumë polemika dhe ka hapur pyetje serioze mbi integritetin e futbollit modern.

Kujtojmë se 25-vjeçari Balogun u ndëshkua me karton të kuq direkt në ndeshjen kundër Bosnjë e Hercegovinës për një ndërhyrje ndaj mbrojtësit Tarik Muharemoviq. Sipas nenit 10.5 të rregullores së FIFA-s për turneun, një karton i tillë sjell automatikisht pezullim prej një ndeshjeje.

FIFA devijoi nga praktika e saj duke u thirrur në nenin 27 të Kodit Disiplinor, duke vendosur që dënimi të pezullohet me kusht për një periudhë prej një viti.

Sikur kjo të mos mjaftonte, menjëherë pas publikimit të vendimit reagoi edhe presidenti amerikan Donald Trump. Përmes rrjetit të tij social “Truth Social”, ai falënderoi FIFA-n duke shkruar: “Faleminderit FIFA-s që bëri atë që ishte e drejtë dhe korrigjoi një padrejtësi të madhe!”

Reagimi nga Belgjika ishte i ashpër dhe i pritshëm. Federata Mbretërore Belge e Futbollit (RBFA) publikoi një komunikatë zyrtare, ku shprehet se është “e habitur” nga vendimi dhe thekson se ai është në “kundërshtim të drejtpërdrejtë” me rregullat e garës, të cilat u ishin konfirmuar në mënyrë të qartë të gjitha federatave pjesëmarrëse që në muajin maj. Federata belge njoftoi se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për të mbrojtur parimin e lojës së ndershme.

Të fundit