Në seancën e 15 të Këshillit Komunal të Tetovës janë regjistruar tensione gjatë shqyrtimit të rendit të ditës për propozimin e emrave të rrugëve në qytet.
Propozimi i paraqitur nga BDI-ja për emërtimet e rrugëve u fut në rend të ditës me 22 vota “për”, 2 “kundër” dhe 1 të “përmbajtur”, pra votuan së bashku edhe këshilltarët e VLEN-it edhe të AKI-së, por kundër ishin dy këshilltarët e Ziadin Selës.
Megjithatë, këshilltarët e BDI-së kërkuan gjithashtu që kjo pikë të futet si pikë e parë e rendit të ditës, çka u kundërshtua nga kryetari i këshillit dhe këshilltarët të shumicës.
Nënkryetari i Komunës së Tetovës Albi Qamili tha se kjo kërkesë e BDI-së po bëhet për show mediatik dhe për pikë politike.
Këshilltarët e Ziadin Selës thanë se ka një marrëveshje mes VLEN dhe BDI për ta çuar Këshillin Komunal të Tetovës në zgjedhje dhe se me këtë gjë, rrezikohet pozicioni i tyre pasi që herën e fundit mandatin e morën në koalicion parazgjedhor me BDI-në dhe shumë parti të tjera në AKI.
Si pasojë e mos pranimit të kërkesës së vendosjen e propozimit të tyre si pikë e parë, këshilltarët e BDI-së dhe të Aleancës për Shqiptarët protestuan para foltores duke pamundësuar vazhdimin e seancës. Kryetari i Këshillit propozoi pauzë dhe më pas pritet të vazhdon përsëri me debatin.
Senaca vijon ende dhe më shumë detaje do të kemi në edicionin e radhës.








