Të tjera lajme

FFM-ja INICON PROCEDURË DISIPLINORE KUNDËR KF SHKËNDIJA!

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut pas mbledhjes së Komisionit Disiplinor, ka marrë vendime të reja disiplinore, ku në qendër të vëmendjes është nisja e procedurës ndaj Klubit të Futbollit Shkëndija, sic thuhet, për shkak të organizimit të dobët të ndeshjes në Tetovë kundër Pelisterit.

Federata e Futbollit ka inicuar procedurë disiplinore kundër Shkëndijës me pretendime se sipas raporteve zyrtare, gjatë ndeshjes Shkëndija – Pelister në Tetovë, janë regjistruar incidente serioze drejtuar ndaj katërshes së arbitrave, përfshirë kërcënime, hedhje sendesh dhe tentativë për përleshje fizike.

“FFM-ja në komunikatë thotë se gjatë ndeshjes, nga publiku vendas janë hedhur në fushë monedha metalike, çakmakë dhe shishe plastike. Gjyqtari i katërt është goditur me çakmak dhe monedha metalike, ndërsa në drejtim të tij është hedhur edhe një mjet i mprehtë, i cili ka rënë pranë tij.

Poashtu, sipas Komisionit Disiplinor të FFM-së, një person i paautorizuar ka hyrë në fushë dhe i ka sulmuar verbalisht gjyqtarët. Pasi ata kanë hyrë në ambientet zyrtare, i njëjti person i ka ndjekur, i ka fyer dhe ka tentuar të përleshet fizikisht me ta”, thuhet në njoftimin e federatës.

Përveç kësaj procedure, Komisioni Disiplinor ka shqiptuar edhe disa sanksione ndaj individëve në futbollin vendor.

Trajneri i FK Makedonija Gjorce Petrov, Bazhe Ilijovski, është dënuar me ndalim të ushtrimit të funksionit për një muaj. E njëjta masë është shqiptuar edhe ndaj Dejan Leskaroski nga radhët e Struga Trim-Lum.

Me pezullim prej dy ndeshjeve janë përballur edhe dy futbollistë: Filip Todorovski nga FK Kozhuf dhe Martin Bogdanoski nga FK Novaci.

Të fundit