17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ardhja e Albin Kurtit “tronditi” Maqedoninë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë vizitës së një dite më parë, nga koncerti në Tetovë në orët e mbrëmjes i bëri thirrje vendit të qëndrojë sa më afër shqiptarëve dhe bullgarëve dhe sa më larg Serbisë. Sipas tij, në këtë mënyrë vendi do të ecë përpara.

“Maqedonia e Veriut sa më afër Kosovës, Shqipërisë dhe Bullgarisë, e sa më larg Serbisë e cila nuk po distancohet as nga Millosheviqi dhe as nga Putini, aq më afër do të jetë anëtarësimit të Bashkimit Evropian dhe aq më i sigurt do të jetë rajoni ynë i Ballkanit”, deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

E nga ana tjetër në vend, një valë reagimesh ngjalli vizita e Kurtit në Shkup dhe Tetovë, pas emërimit të njërës nga rrugët e Shkupit me emrin “Adem Demaçi”. Sipas VMRO-DPMNE-së, Këshilli i Qytetit të Shkupit para dy vjetësh pa asnjë debat, pa konsultim me qytetarët dhe në mënyrë të dhunshme ka ndryshuar emrat e pothuajse 500 rrugëve dhe objekteve të tjera në Qytetin e Shkupit.

“A e dinë të paaftët nga qeveria e LSDM-së se kryeqytet i kujt është Shkupi, i Maqedonisë apo ndonjë shteti tjetër? Dje në Shkup, pa asnjë simbol maqedonas dhe me pompozitet të madh dhe në prani të një kryeministri të një shteti tjetër, rruga “Brigada e Dytë Sulmuese Maqedonase” u emërtua me emrin e luftëtarit kosovar Adem Demaçi. Rruga mban emrin e Demaçit, i cili nuk ka pika kontakti as me historinë e Maqedonisë dhe as me Shkupin, por kishte ideale nacionaliste të lidhura me vende të tjera. Prandaj pyesim nëse këshilltarët e LSDM-së e dinin se për çfarë votonin në vitin 2021 në Këshillin (e Qytetit të Shkupit)?”, thonë nga VMRO-DPMNE.

LSDM-ja thotë se përgjegjës për zhvillimet e djeshme në Shkup dhe Tetovë është Mickoski, i cili mbështet organizatorët.

“Pikërisht Hristijan Mickoski duhet të dalë para opinionit dhe të përgjigjet. Partnerët joformal të koalicionit të Mickoskit dhe DPMNE-së janë organizatorët e ngjarjeve në Shkup dhe Tetovë. Kasami u bë kryetar komune me mbështetjen dhe votat e DPMNE-së, kurse bashkëpunimi i tyre vazhdon edhe në Këshill, në Kuvend dhe ne çështje të tjera. Opinioni e din se Mickoski e propozoi Afrim Gashin për mandatar të ri të qeverisë. Nëse sot DPMNE-ja është gjoja se e neveritur nga veprimi i tij, le t’i drejtohet direkt”, thonë nga LSDM.

Reagime ka pasur edhe nga kreu i Kumanovës Maksim Dimitrievski i cili ftoi institucionet hetuese të hetojnë shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve, me mosintonimin e himnit të Maqedonisë por të atij shqiptar, mosvendosjen e simboleve shtetërore dhe përdorimin e simboleve, siç thotë ai, të Shqipërisë së madhe, gjatë aktiviteteve të djeshme.

“Për këtë bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjell luftuam nën parullën “Një shoqëri për të gjithë”? Si ndjeheni sot kur kujtimet e gjyshërve tanë të rënë, partizanëve, antifashistëve nga Lufta Nacional Çlirimtare (nga të gjithë kombet dhe kombësitë në Maqedoni në atë kohë) FSHIHEN dhe emërohen me emra të luftëtarëve të kauzave kombëtare? Ju heshtni për të dytën ditë me radhë kurse heshtja në këtë rast është më shumë se turp”, u shpreh Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

Kurti në Shkup dhe Tetovë takoi vetëm politikanë të Frontit opozitar dhe asnjë nga radhët e pushtetit. Ai tha se këtë vizitë e bën si kryeministër, në mënyrë vëllazërore dhe miqësore. /Alsat.mk

Të fundit