Të tjera lajme

BOTËRORI 2026: SPANJA, PORTUGALIA  DHE ZVICRA NË 1/8 E FINALES

Zvicra, Portugalia dhe Spanja janë tre vendet e radhës që kanë siguruar  kualifikim në fazën e 1/8  së finales të Botërorit 2026. Sonte dhe në orët e vona të natës zhvillohen tre takimet e fundit të fazës së parë të eliminimit direkt. Në 1/8 e finales kualifikim kanë siguruar 5 vende Evropiane.

Spanja me fitoren kundër Austrisë vazhdon të konfirmojë statusin e një prej skuadrave favorite në Botërorin 2026. Iberikët në mënyrë rutinore mposhtën me rezultatin e pastër 3:0 Austrinë duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të turneut. Dy gola i shënoi Ojarzabal dhe një tjetër Porro. Kështu Spanja në 1/8 e finales do të përballet me Portugalinë që konsiderohet njëra nga  ndeshjet më interesante në këtë fazë.

 Një ndeshje spektakolare zhvilluan Portugalia dhe Kroacia.

Ndeshja do të mbahet mend si një nga pjesët e dyta më kaotike në historinë e Botërorëve që solli një sërë situatash të pabesueshme – 3 gola të pranuara, katër të anuluara, penalti, shtylla dhe transversale dhe dramë të VAR-it në sekondat e fundit.

 Me golin e shënuar në minutën e  68-të, Ronaldo është bërë zyrtarisht lojtari më i vjetër që ka zbritur në fushë në një ndeshje me eliminim direkt në historinë e Kupës së Botës, me 41 vjeç e 147 ditë.

 Pas fishkëllimës së fundit të referit pasoi momenti emocional midis dy legjendave, Ronaldos dhe Modriqit, duke treguar respektin e ndërsjellë pas betejës së madhe në terren.

 Skuadra e pestë evropiane që siguroi kualifikim në 1/8 e finales është Zvicra e cila  mundi Algjerinë 2-0. Autor  të  golave  për Zvicrën ishin Embolo dhe Ndoye.  

Në këtë  ndeshje kapiteni i skuadrës helvetike, Granit Xhaka, zhvilloi ndeshjen e tij të 150  për Zvicrën.

 Kujtojmë se deri më sot në Kampionatin Botëror në 85 ndeshjet e zhvilluara janë  regjistruar 246 gola kurse 12  futbollistë janë ndëshkuar me kartonë të kuq. 

Faza e 1/16 të finales përfundon sonte dhe në orët e vona të natës me ndeshjet   Australia – Egjipti, Argjentina  – Kepi i Gjelbër dhe Kolumbia – Gana.

Shaban Sinani  – TV Koha

Të fundit