22/06/2024
21.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Çajra për dobësim, barishte dhe pika kundër sterilitetit dhe presionit të lartë të gjakut – sa të sigurta janë suplementet ushqimore?

Çajrat për dobësim të menjëhershëm, produktet bimore që trajtojnë sterilitetin dhe viruset HPV, pikat që trajtojnë tensionin e lartë, suplementet e ndryshëm që shërbejnë për trajtimin e hemorroideve dhe prostatës janë vetëm disa nga suplementet ushqimore që ofrohen çdo ditë në shitje në rrjetet sociale. Ato përmbajnë pretendime shëndetësore, për të cilat nuk dihet nëse dhe sa të sakta janë. Nëse porositni ndonjë nga produktet, nuk duhet të habiteni nëse nuk merrni kupon fiskal dhe as nuk mund të zbuloni se kush qëndron pas profilit “shitës” dhe adresën e tyre,transmeton Koha nga Meta.mk.

Reaksionet alergjike, takikardia, tensioni i lartë i gjakut, janë vetëm disa nga ankesat e qytetarëve të cilët kanë përdorur suplemente ushqimore që i kanë porositur online, të cilat i kanë raportuar Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë.

“Ne marrim raporte nga konsumatorët të cilët janë mashtruar kur përdorin suplemente ushqimore që i kanë porositur online, në aspektin se kanë blerë një produkt të pasigurt dhe që u ka shkaktuar reaksione alergjike dhe probleme të tjera shëndetësore. Ose kanë marrë një produkt që nuk e kanë pritur, për shembull kanë paguar aloe vera dhe kanë marrë ujë”, thotë Martina Grnçarevska nga Organizata e Konsumatorëve të RMV-së.

Mikrobiologu prof. Dr. Nikolla Panovski është keqpërdorur në disa raste kur është fjala për reklamimin e produkteve të tilla.

“Emri im është keqpërdorur në reklamimin e të paktën dhjetë produkteve. Më bënë kardiolog dhe kardiokirurg, me mua u botuan intervista fiktive, bëhej fjalë për një lloj çaji për pastrimin e enëve të gjakut, i cili kushtonte 100 denarë në dyqan, shitet për 4800 denarë. Janë dy grupe suplementesh, ato që janë të regjistruara dhe që reklamohen në televizion dhe për të cilat ka dëshmi se janë të sigurta dhe ka nga ato që nuk miratohen nga askush. Në vendin tonë, derisa dikush të vdesë, nuk do të bëhet asgjë. Ka pasur një rast me një vajzë e cila, duke besuar se suplementi ushqimor do ta shëronte nga sheqeri, e ndërpreu terapinë me insulinë dhe ra në koma diabetike”, thotë Panovski.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, përkatësisht sektori i ushqimeve me origjinë jo shtazore, ka publikuar Regjistrin e produkteve që plotësojnë kërkesat e veçanta të sigurisë si suplemente ushqimore. Në këtë regjistër çdokush mund të mësojë nëse produkti që dëshiron të blejë dhe konsumojë është i sigurt.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë apelon te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pas informacioneve të paverifikuara dhe të pakonfirmuara për shitjen e suplementeve ushqimore përmes rrjeteve sociale dhe përmes platformave web të operatorëve të paregjistruar/pamiratuar, sepse produktet mund të jenë të pasigurta, pavarësisht nëse janë produkte nga prodhim vendas ose të importuar.

“Shërbimet e inspektimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kryejnë kontrolle në funksionimin e operatorëve të miratuar/regjistruar të suplementeve ushqimore, pra të të gjitha kompanivë që janë pjesë e zinxhirit ligjor të prodhimit dhe tregtisë, përfshirë edhe ato që kryejnë shitje elektronike të produkteve të tyre. Blerja e produkteve të tilla përmes rrjeteve sociale dhe platformave ueb të operatorëve të paregjistruar/paaprovuar, pa u informuar paraprakisht nga konsumatorët nëse janë të miratuara apo jo, është përgjegjësi e tyre personale”, thonë nga aty.

Ndryshe, mbi këtë kategori shitësish përgjegjësit në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk kanë mundësi të bëjnë kontroll, pasi personat janë të panjohur dhe me adresë të panjohur.

“Për të përcaktuar vërtetësinë e profilit nga i cili bëhet shitja dhe për të zbuluar personin-pronar të profilit në Facebook, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Konsumatorët mund të raportojnë në Agjenci për çdo mospërputhje në aspektin e sigurisë ushqimore, me shkrim, në mënyrë elektronike në [email protected], ose në linjën telefonike falas për konsumatorët 0800 3 22 22″, potencuan nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Të fundit