18/06/2024
27.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, gjithnjë e më pak të rinj dhe fonde të pamjaftueshme për politikat rinore

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, Fondacioni Westminster Democracy sot organizoi Konferencë Rinore, e cila paraqiti dy analiza mbi të rinjtë dhe politikat rinore të ndjekura nga një panel diskutimi me përfaqësues nga institucionet dhe sektori rinor, transmeton Portalb.mk.

Gjetjet e analizës “Rinia dhe Regjistrimi” tregojnë se numri i të rinjve, 15 deri në 29 vjeç, në vend po zvogëlohet ndjeshëm, popullsia po plaket me 6% më pak të rinj në krahasim me regjistrimin e vitit 2002. Me fjalë të tjera, në vitin 2002 – 24% e popullsisë ishin të rinj, ndërsa në vitin 2021 – 18% e popullsisë janë të rinj. Sipas nivelit të arsimimit, shumica e të rinjve (48%) kanë përfunduar arsimin e mesëm, pasuar nga 30% me arsim fillor të përfunduar dhe 14% me arsim të lartë. Edhe pse ka rënie të papunësisë te të rinjtë, e cila sipas censusit të fundit është 28%, kjo normë është ende 15% më e lartë se ajo në Bashkimin Evropian.

Analiza “Financimi i pjesëmarrjes rinore dhe politikave” tregon se edhe pse Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore i miratuar në vitin 2020 parashikon ndarjen e 0.3% të buxhetit në nivel kombëtar dhe 0.1% të buxhetit në nivel lokal për të rinjtë – për institucionet është ende e paqartë se çfarë nënkuptohet me këtë. Për këto arsye, nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht se sa para janë ndarë për politikat rinore. Pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit për të rinjtë i ndahet Agjencisë për Rini dhe Sport, por vetëm 4-5% shpenzohet për programin për të rinj, në krahasim me programin e sportit. Shpenzimet e ARS-së për të rinjtë arrijnë në 0,008% të totalit të shpenzimeve nga buxheti i shtetit. Ky ligj parashikon ngritjen e qendrave rinore në të gjitha komunat më së voni deri në vitin 2025 dhe aktualisht vetëm në 8 komuna të rinjtë kanë qasje në qendrën rinore.

“Shteti duhet urgjentisht të fillojë trajtimin e politikave rinore si prioritet thelbësor dhe strategjik i shtetit, dhe më e rëndësishmja – të krijojë strategji për trajtimin afatgjatë të ndryshimeve demografike në shtet dhe efekteve të tyre, sipas rekomandimeve të analizës”, thonë nga Fondacioni për Demokraci Westminster.

Aktiviteti u hap nga Dominic Rhodes, Shef i Politikave dhe Komunikimit në Ambasadën Britanike:

“Të jesh i ri ndonjëherë do të thotë se është e vështirë të dëgjohesh, është e rëndësishme që institucionet t’i shohin të rinjtë si prioritet, jo vetëm në çështje të tilla si arsimi dhe punësimi, por edhe fusha të tilla si shëndeti mendor, mbrojtja sociale dhe cilësia e jetës.”

Konferencë rinore (10.08.2023). Foto: Fondacioni për Demokraci Westminster
Konferencë rinore (10.08.2023). Foto: Fondacioni për Demokraci Westminster

Pas tij foli drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsovski i cili tha se Agjencia monitoron situatat rinore dhe përpiqet për përmirësim.

“Të rinjtë duhet të jenë në listën e prioriteteve për të zgjidhur problemet e tyre. Në një vend me gjithnjë e më pak të rinj, duhet të investohet më shumë për të përmirësuar jetën dhe të ardhmen e tyre në vend”, tha Dona Kosturanova, drejtoreshë e Fondacionit për Demokraci Westminster në Maqedoninë e Veriut.

Në ngjarje folën edhe Gjorgi Tasev – këshilltar për të rinj dhe politika rinore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mariana Angelova – KRNM, Apostol Simovski – drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave dhe Aleksandra Naqeva Ruzhin – këshilltare e Ministrit të Financave.

Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Praktikoni Demokracinë” i zbatuar nga Fondacioni për Demokraci Westminster, i financuar nga Ambasada Britanike.

Të fundit