VMRO-DPMNE vazhdon ta bëjë “me çdo kusht” dhe pa pyetur për “çmim” opozitarizmin e vet. Veprimi opozitar dhe interesi publik, megjithatë, nuk shkojnë përherë bashkë.
Duket qartë se kjo parti përpiqet të bëjë obstruksione dhe t’i futë gishtat edhe atje ku nuk e ka vendin. Dyshimet e publikut po dalin në shesh se me grevën e arsimtarëve po manipulon kjo parti. Sepse, javën e kaluar kryeministri Kovaçevski dhe kryetari i SASHK-ut deklaruan publikisht se janë marrë vesh për një rritje prej 12 përqindësh, por menjëherë pas festës, kjo ndryshoi në mënyrë të çuditshme.
Edhe në konferencën e sotme për shtyp, VMRO-ja e përkrah të drejtën e grevës, por nuk tha asgjë se si është e mundur që brenda nate SASHK-u, që ishte pajtuar me rritjen e rrogave, të ndërrojë mendjen? A nuk lë vend për dyshime se këtë pishmanllëk këtë e ka nxitur ajo vetë?
Me këtë kjo parti dëshmon se iu kthehet metodave të saj të vjetra kur gjithçka kishte nën kontroll, për më tepër, e ka përqejf të turbullojë ujin, edhe kur duket qartë kjo shkon në dëm të interesit të qytetarëve.
E nuk ka interes më të madh se nxënësit të kthehen në bankat shkollore e arsimtarët të marrin ditarët në dorë dhe të përfundojnë procesin edukativo-arsimor për këtë vit shkollor. /tetovasot.com/