Fshati Tenovë i komunës së Bërvenicës pothuajse është boshatisur tërësisht. Shumë shtëpi janë me dyer të mbyllura. Aty kanë mbetur vetëm më të moshuarit. Banorët ankohen se politikat e këqija, mungesa e investimeve kanë bërë që të rinjtë të marrin rrugën e mërgimit. Vetëm për 3 muaj, rreth 30 nxënës kanë marrë fletëshpërngulje.
“Rrugë pothuajse të zbrazëta. Lere që nuk shihen fëmijë në rrugë por nuk ka as të rritur. Këtu në sheshin e fshatit edhe kafeneja rezulton bosh. Ky është fshati Tenovë i cili nga migrimet në mërgim, ka mbetur i këtillë pothuajse i zbrazur”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.
Banorët e Tenovës së Brvenicës, ankohen se në këtë gjendje janë si pasojë e politikave të këqija të shtetit, pasi asnjëherë nuk u investua për hapjen e vende të reja të punës dhe investimeve në bujqësi. Një i moshuar që e takuan tha se nipat dhe mbesat po rriten larg syve të tij, pasi fëmijët i kanë migruar jashtë.
“ne kemi rreth 400 shtëpi, të mos e teproj por rreth 350 janë jashtë. Të rinj s`ka, gjithë janë jashtë. Kjo ndodh sepse nuk kemi shtet nuk kemi ekonomi. S’ka punë, bujqësinë e shkatërruan, edhe më shumë ikin nga sistemi s`ka shtet të së drejtës. Djalin e kam në Itali që prej vitesh, atje rriten nipat mbesat. Djali nëse kthehet kur të pensionohet mirë nëse jo do mbetet atje”, u shpreh një banorë i Tenovës.
“ Gjithnjë e më pak njerëz ka fshati, çdo ditë migrojnë, e deri kur kjo nuk e di. Krejt si mungesë e punësimeve është, shteti dobët merret me këtë gjë kjo është. I gjithë problemi është tek kushtet, punësimi, shteti duhet të kujdeset të sigurojmë bukën. Po të kishim një dy të punësuar në familje nuk do shkonim. Kohën e fundit nuk ka këtu as punë fushe, s`ka kush e punon tokën bujqësia më s’paguhet. Do mbeten vetëm pleqtë. Djali im iku nusja iku mbesim vetëm pleqtë. Tash do ike edhe e reja, fëmijët dhe kështu është në gjitha shtëpitë”, tha një tjetër banor i Tenovës.
Trendi i migrimit, ka zbrazur shkollat. Vetëm tre muaj, rreth 30 nxënës kanë kërkuar fletëshpërnguljet.
“Sa iu përket migrimeve të nxënësve numri është i madh. Shembull në shtator patëm 314 nxënës, sot kemi 289, mbi 20 nxënës për vetëm disa muaj kemi të shpërngulur. Numri është zvogëluar shumë, sidomos në shkollën e Gurgunicës fshat malor”, deklaroi Afrim Emurllai. Drejtor i shkollës fillore “Goce Dellçev” Tenovë.
Teksa po largoheshim nga fshati Tenovë, hasëm në shumë dyer të mbyllura dhe grila të mbyllura të dritareve. Ndërsa fushat e këtij rajoni, të cilat dikur ishin të njohura për prodhimet bujqësore, tani janë shndërruar në shkretëtirë. Nuk ka kush t’i punojë. Fshati Tenovë njihet edhe si fshati i bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Në këtë fshat kisha dhe xhamia janë pothuajse në një oborr.zhurnal.