07/10/2024
17.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mariçiq: Masat kufizuese të SHBA-së për të sanksionuar politikanët e korruptuar nga Ballkani Perëndimor janë të rëndësishme

Sanksionimi i politikanëve të korruptuar në Ballkanin Perëndimor është i një rëndësie të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit dhe do të ndihmojë në rregullimin dhe reformimin e sistemit në rrugën drejt BE-së. Këtë e ka deklaruar sot zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, nga SHBA-të në panelin e diskutimit mbi Marrëdhëniet BE-SHBA: Ndërtimi i sigurisë kolektive në një botë në ndryshim, transmeton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut ka vendosur dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, forma të veçanta bashkëpunimi, ku sistemi i masave kufizuese të Shteteve të Bashkuara për sanksionimin e politikanëve të korruptuar në Ballkanin Perëndimor është i një rëndësie të jashtëzakonshme për luftën kundër korrupsionit dhe do të ndihmojë në rregullimin dhe reformimin e sistemit në rrugën drejt BE-së”, tha Mariçiq.

Ai theksoi se adresimi i sfidave të tilla si korrupsioni dhe promovimi i integrimit janë thelbësore për arritjen e këtij qëllimi. Mes tjerash Mariçiq tha se prania dhe mbështetja e politikanëve amerikanë janë të një rëndësie jetike në luftën kundër korrupsionit në rrugën eurointegruese të RMV-së.

“Angazhimi dhe bashkëpunimi me politikanët amerikanë përforcon angazhimin tonë ndaj vlerave demokratike dhe forcon partneritetet transatlantike”, tha Mariçiq.

Kujtojmë që propozim ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, pas çka në shkurt, Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.

Amendamentet e propozuara, siç njoftoi në janar ministri Bujar Osmaniparashikojnë futjen e dy instrumenteve të rëndësishme, institucioni propozues të kërkojë dhe dorëzojë të gjitha provat materiale në Prokurori për fillimin e procedurës, përfshirë konfiskimin e pasurisë, e nëse përfundon me aktakuzë, parashihet ndalim i përkohshëm i kryerjes së funksionit publik dhe ndalim i pjesëmarrjes në prokurim publik, nëse ka të bëjë me persona juridikë.

Kjo iniciativë erdhi pasi vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, biznesmeni kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë.

Të fundit