19/04/2024
7.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Greva në arsim, mësimdhënësit presin rroga, komunat e presin Qeverinë

Ende nuk dihet nëse mësimdhënësve dhe edukatorëve do t’u jepet pagë apo mëditje për ditët e periudhës derisa kanë qenë në grevë ose do t’u paguhen vetëm kontributet. Qeveria thotë se pagesa e pagave në kushte të grevës kryhet sipas ligjit dhe se komunat duhet të veprojnë sipas rregullativës ligjore, ndërkaq nga ana tjetër komunat e hedhin përgjegjësinë te Qeveria, e cila, sipas tyre, duhet të lëshojë ose jo, mjete financiare për pagat. SASHK e ka shtruar çështjen në bisedime dhe kërkon t’u paguhen mëditjet, shkruan Portalb.mk.

Derisa mësimdhënësit presin që t’i marrin pagat, për të cilat prej 11 deri më 28 prill apo gjithsej 14 ditë pune protestuan me grevë për t’i rritur, komunat i presin autoritetet qeveritare nëse do t’u lëshojnë ose jo mjete financiare, për t’i paguar mësimdhënësit dhe edukatorët për periudhën që nxënësit nuk mbajtën mësim.

“Momentalisht si Vetëqeverisje lokale presim informim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës se si do të veprohet mbi këtë çështje. Në momentin që kemi njoftim dhe informim nga MASH do të ju njoftojmë për veprimin tonë”, thotë për Portalb.mk Fari Hiseni, zëdhënës i Komunës së Çairit.

Nga Komuna e Tetovës përgjegjëse për çështjen e bëjnë Ministrinë e Arsimit dhe se qëndrimi i pushtetit qendror, do të jetë edhe qëndrimi i tyre.

“Sa i përket kësaj çështjeje, pra të pagesave të pagave të të punësuarve në sektorin e arsimit për periudhën sa ishin në grevë, përgjegjës është ministria përkatëse, pasi kjo çështje është problematikë në nivel shtetërorë. Qëndrimi i tyre zyrtar do të jetë edhe qëndrimi ynë zyrtar”, deklarojnë nga Komuna e Tetovës.

Klasa_3
Ilustrim
Qëndrim të njëjtë kanë edhe nga Komuna e Gostivarit.

“Shkollat komunale të Gostivarit, planin e pagave na i kanë dërguar pa ndryshime sa i përket grevës. Ne si Komunë jemi të obliguar që ato si të tilla t’ua përcjellim Ministrisë së Arsimit, prej nga për momentin nuk janë prononcuar për këtë çështje. Se si do të veprojmë do të varet vetëm prej qëndrimit të Ministrisë, sepse ne si Komunë mjetet për pagat e punonjësve te arsimit i marrim në formë të dotacionit nga pushteti qendror”.

Edhe Komuna e Karposhit gishtin e drejton kah Ministria e Arsimit.

“Nëse mësuesve që kanë qenë në grevë do t’u paguhet paga varet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Ministria e Financave. Sa mjete do të transferojnë prej atje për atë qëllim, komuna aq do të paguajë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Portalb.mk, kontaktoi edhe me përfaqësuesit e Komunës Qendër, por pavarësisht premtimit, deri në publikimin e tekstit nuk na dërguan përgjigje për çështjen në fjalë.

Çfarë thotë Qeveria dhe Ministria e Arsimit?

Si Ministria, ashtu edhe Qeveria kanë përgjigje të njëjtë se pagesa e mësimdhënësve që kanë qenë në grevë duhet të bëhet sipas ligjit.

“Pagesa e pagave në kushte të grevës është e rregulluar me ligj, kështu që komunat që i bëjnë llogaritë për të punësuarit në shkolla nën kompetenca të tyre, veprojnë sipas rregullativës ligjore”, thuhet në përgjigjen e njëjtë të Qeverisë dhe MASH për Portalb.mk, duke mos dhënë detaje nëse do të lëshojnë apo jo financa për pagat.


Ministria e Arsimit dhe Shkencës në RMV
Pavarësisht se Qeveria dhe MASH, nuk e shpjegojnë se çfarë nënkupton kjo që “është e rregulluar me ligj”, gjatë kohës së grevës, gjegjësisht më 20 prill, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, theksoi se sipas ligjit, mësimdhënësve nuk ju takon pagë, por do t’u paguhen vetëm kontributet.

“Në marrëveshjen kolektive është mirë e sqaruar se çfarë ndodh gjatë grevës kolektive dhe cilat janë obligimet e punëdhënësit. Njëjtë është definuar edhe në Ligjin për Marrëdhënie Pune ku thuhet se në kushte të grevës, punëdhënësi është i obliguar t’ua paguajë kontributet të gjithë punëtorëve që janë në grevë sipas bazës më të ulët për pagesën e kontributeve. Neni i radhës 241, jep mundësi që SASHK-u t’u sigurojë pagesë të pagës neto të gjithë punëtorëve që janë në grevë”, tha Trençevska.

Këto janë dy nenet e Ligjit për Marrëdhënie Pune, te të cilat thirret ministrja dhe autoritetet qeveritare.

Neni 240: Punëtorëve pjesëmarrës në grevë, gjatë pjesëmarrjes në grevë, punëdhënësi është i detyruar t’ua paguajë kontributet në pagë të përcaktuara me rregullore të veçanta të bazës më të ulët për pagesën e kontributeve.
Neni 241: Organizatori i grevës mund të paguajë kompensimin e pagës neto për kohën e grevës për punëtorët që kanë marrë pjesë në grevë.
Pse sipas SASHK-ut duhet të paguhen mësimdhënësit për periudhën e grevës?

Por, sot që greva ka mbaruar, e që ekipi i SASHK-ut bashkë me përfaqësuesit e Qeverisë vetëm se kanë mbaruar rundin e parë të bisedimeve, me ndihmën e një pajtuesi, as Qeveria e as Ministria e Arsimit nuk tregojnë se a do të paguhen apo jo mësimdhënësit.

Kryetarin e sindikatës e cila e organizoi dhe udhëhoqi grevën, Jakim Nedellkov, i cili paraprakisht ka deklaruar se arsimtarët do të marrin pagë dhe paralajmërimet e tilla janë me qëllim për t’i frikësuar mësimdhënësit që të heqin dorë nga greva.

Nedellkov, thekson se ende nuk dihet se çfarë do të vendoset për çështjen në fjalë, por se e njëjta, mes tjerash, është në tavolinën e bisedimeve mes SASHK-ut dhe përfaqësuesve qeveritar, të cilët dje e mbaruan rundin e parë të bisedimeve, ku i kanë dhënë ofertat dhe të premten presin përgjigje nga qeveria.

“Unë them dhe besoj që do të paguhen, kjo çështje është në tavolinën e bisedimeve dhe kërkojmë që të paguhen mësimdhënësit”, tha për Portalb.mk Nedellkov.

Paraprakisht, SASHK pretendimet e qeverisë për mospagesë të mëditjeve, i ka quajtur presion për të hequr dorë nga greva.

“Ligji për Marrëdhënie Pune e ka marrë parasysh në mënyrë shumë të mangët pagesën e pagës së grevistëve, në kuptimin që t’u paguhen kontributet e tyre dhe jo mëditjet. Por, mësimdhënësit shkojnë në punë, pavarësisht se disa orë mësimi nuk mbahen, gjithashtu edhe orët, pas grevës do të kompensohen, kështu që nuk ka arsye për t’ua shkurtuar pagat edhe ashtu të ulëta”, ka deklaruar Nedellkov.

Ndryshe, Këshilli i SASHK-ut më 28 prill, vendosi për pezullim të grevës derisa nuk zgjidhet kontesti për rritjen e pagave në arsim, ndërsa në qoftë se nuk zgjidhet, siç paralajmëruan nga Sindikata, i njëjti sërish do të aktivizohet. Ministria e Arsimit dhe Shkencës paraprakisht dërgoi njoftim deri te SASHK-u për zgjidhe të qetë të kontestit, ndërsa deri tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dërgoi kërkesë që të përcaktojë ndërmjetësues. Sipas rregullativës ligjore, SASHK-u ishte i obliguar që të ulet në tavolinën e bisedimeve. Nëse brenda 10 ditëve të para nuk zgjidhet çështja, palët i vazhdojnë bisedimet edhe për 10 ditë të tjera. Për vendimin e SASHK-ut që të pezullohet greva, një pjesë e anëtarësisë shfaqi revoltë dhe protestoi para hapësirave të Sindikatit me kërkesën për të vazhduar greva.

Të fundit