18/06/2024
18.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Idrizovë, nxënësit shqiptarë vazhdojnë me protesta! Problemi i paraleles shqipe tashmë me vite nuk po zgjidhet

Në vend që të jenë brenda në klasë, nxënësit e shkollës fillore “Njegosh” në Idrizovë po vazhdojnë të protestojnë përpara objektit të shkollës. Ata nuk dorëzohen nga kërkesa për hapjen e një paralele në gjuhën amtare shqipe, sepse e kanë të vështirë të mësojnë maqedonisht.

“Këtu nuk e hapin paralelen, duhet të mësojmë në gjuhën maqedone, por ne nuk duam në gjuhën maqedone, duam paralelen në gjuhën shqipe ta hapin këtu”, tha Isra Seferi, nxënëse.

“Unë dëshiroj që të hapet këtu paralelja shqipe, sepse tani jam klasa e pestë, ndërsa kur të hy në klasën e gjashtë ku do të mësoj?! -Kur do të dilni klasa e gjashtë do të mësoni në maqedonisht apo?

Po sepse unë nuk kemi ku të mësojmë, unë jam i vogël dhe nuk mund të shkoj në Ognjancë”, theksoi Abdurahman Shabani, nxënës.

Prindërit thonë se shkolla ka mjaftueshëm vend për të hapur paralele shqipe dhe se nuk është e nevojshme që fëmijët t’i dërgojnë në shkolla të tjera.

“Ne kërkojmë këtu të na hapin shkollën, duam të kemi shkollën tonë, fëmijët tonë prej të pestës nuk kanë ku të mësojnë, i dërgojmë ose në Shkup ose në Ognjancë, edhe në Ognjancë nuk ka shumë do t’i përzënë prej atje. Kështu që fëmijët tanë nuk kanë ku të mësojnë, duke e pasur shkollën këtu. Në mëngjes mësojnë maqedonët por, pasdite është e lirë”, tha Bedri Ademi, prind.

“Patjetër duhet të hapet shkolla, këta thonë jo këtu, nuk ka vend. Ka vend sa të duash, nuk ka vullnet të hapin shkollën është problemi. Gjuha amtare e jona nuk iu pëlqen të mësojnë këtu”, theksoi Ismet Etemi, prind.

Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri për TV21 tha se të preet zgjidhje të propozuar nga kryetari i komunes së Gazi Babës.

“Si Ministri e Arsimit dhe Shkencës do të kontribuojmë në mënyrë aktive në realizimin e të njëjtës dhe paralelisht me këtë do të fillojë procedura për ndërtimin e objektit të ri shkollor në Idrizovë. Do të presim një zgjidhje të propozuar nga kryetari i komunës së Gazi Babës, e cila do të nënkuptojë vazhdimin e mësimit në ambientet e sh.f “Njegosh”. Unë si ministër jam gjithmonë në krah të nxënësve sepse kjo është e drejta e tyre e garantuar kushtetuese”, pohoi Jeton Shaqir, ministër i Arsimit.

Por kryetari i Gazi Babës Boban Stefkovski para disa ditëve tha se shkolla nuk i plotëson kushtet, me arsyetimin se aty mësohet me kapacitet të plotë në dy turne deri në orën 16. Për këtë, ai pret që Ministria e Transportit t’i kthejë përgjigje për iniciativën e ndërtimit të shkollës së re, e për të cilën ka propozuar lokacion. Ndryshe prindërit njoftuan se nga sot nxënësit do ta bojkotojnë mësimin.

Të fundit