15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Kodi mental i ballkanasve perëndimor duhet të ndryshojë

Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin FON në Shkup, thotë se duke marrë parasysh zhvillimet konfliktuoze në rajon dhe “talentin” e shteteve për të shpikur probleme nga e kaluara dhe duke shkelur mbi të ardhmen, “BE-ja me të drejtë kërkon mekanizma për të mos i importuar problemet në union”.

“Bashkimi Evropian me të drejtë frikësohet pasi në të ardhmen e afërt mund të ndodhin kushtëzime të tilla mes shteteve tjera të rajonit siç janë Kosova, Serbia, Mali i Zi, Bosnja… Maqedonia [e Veriut] ishte një shembull tipik, që nuk arriti me kohë ta zgjidhë problemin [me Greqinë] për emrin në kushte shumë më të volitshme dhe vazhdoi me inatin politik, dhe vazhdon me të njëjtin inat [me Bullgarinë]. Pra, është një mesazh serioz se kodi mental i ballkanasve perëndimor gjithsesi duhet të ndryshojë në qoftë se dëshiron të ndryshojë gjendja e tyre”, ka theksuar Bilalli për REL.

Sa i përket zgjerimit deri më 2030, ai thotë se është me rëndësi se për herë të parë nga një zyrtar i lartë i BE-së përmenden afate konkrete për anëtarësimin e vendeve të rajonit në BE.

Por, Bilalli thotë se zgjerimi më shumë varet nga rrethanat gjeopolitike, por edhe ndryshimi i “mentalitetit” të shteteve kandidate për anëtarësim.

“Jam relativisht optimist sepse duhet të shohim se si do të zhvillohet gjeopolitika në të ardhmen, e cila është e ndryshueshme. Por, nuk jam shumë optimist duke marrë parasysh kodin mental të Ballkanit Perëndimor, përveçse nëse nuk bëhet një përditësim i shpejtë i integrimeve brenda Ballkanit Perëndimor siç ishte Ballkani i Hapur, që tani integrohet në Procesin e Berlinit. Pra, nëse krijojmë një treg të përbashkët dukshëm do ta relaksojmë ambientin e kontradiktave të brendshme”, thotë Bilalli.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE e ka marrë në vitin 2006, por procesi i anëtarësimit është penguar nga kontestet e pazgjidhura me Greqinë dhe Bullgarinë.

Të fundit