Një ndryshim i madh ka ndodhë në bankinën e Kombëtares shqiptare të futbollit pas largimit të trajnerit brazilian Sylvinho. Trajner i ri i kombëtares do të jetë italiani Rolando Maran
Federata Shqiptare e Futbollit ka lëvizur me shpejtësi për të gjetur pasuesin e Silvinjos – teknikut që riktheu entuziazmin te kuqezinjtë. Seleksionues i ri i Kombëtares Shqiptare është italiani Rolando Maran.
Tekniku 62-vjeçar ka një karrierë të gjatë në futbollin italian, kryesisht në Serie A dhe Serie B. Maran ka drejtuar skuadra të njohura si Cagliari, Genoa, Chievo Verona, Catania dhe Brescia.
Periudha më e suksesshme e tij konsiderohet ajo te Chievo, ku qëndroi për afro katër sezone në elitën italiane dhe fitoi reputacion si trajner i organizimit taktik dhe disiplinës defensive.
Maran e nisi karrierën si trajner në vitin 1997, menjëherë pas tërheqjes nga futbolli aktiv, ndërsa gjatë viteve ka grumbulluar mbi 600 ndeshje si teknik profesionist.
Sistemi i tij i preferuar është 4-3-1-2, ndërsa njihet si trajner me eksperiencë të madhe në menaxhimin e skuadrave nën presion.
Rolando Maran konsiderohet një nga trajnerët më me eksperiencë në futbollin italian, veçanërisht për punën e tij shumëvjeçare në Serie A.
Tekniku italian njihet për organizimin e skuadrës, disiplinën e fortë taktike dhe aftësinë për të ndërtuar ekipe konkurruese edhe me burime të kufizuara.







