Me 106 vota PËR, 1 KUNDËR dhe 1 i PËRMBAJTUR, Kuvendi qendror i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Selës, ngriti iniciativë për shkarkimin e kryetarit të partisë, Arben Taravari. Arsyeja e shkarkimit të Taravarit, siç tha kryetari i Kuvendit Ziadin Sela, është shkelja e rëndë e statutit të partisë nga ana e kryetarit. Sela tha që edhe Taravari ka qenë i ftuar në mbledhjen e këtij kuvendi qendror, e kanë pritur të vijë mirëpo Taravari nuk u paraqit.
“Nga prezenca prej 108 anëtarëve të Kuvendit, me 106 PRO, 1 kundër dhe 1 abstenim, u mor iniciativë për shkarkim të kryetarit të partisë që është në të njejtën kohë ky numër, 2/3 e KQ të partisë siç e parasheh statuti i partisë.”- tha Sela.
I pyetur për një rikthim eventual në krye të partisë, Sela thotë se kjo nuk është dëshirë personale e tij dhe për këtë vendosë kongresi i partisë.
E në momentin kur Kuvendi votoi iniciativën për shkarkimin e Taravarit, ky i fundit u paraqit me një tatus në profilin e tij në Facebook. Thotë se kjo është përpjekje e BDI-së për t’i defokusuar për atë se e kujt është partia. Nga sot thotë se kush ka ankesa, duhet t’i drejtohet Gjykatës.
“Përpjekjet e BDI-së dhe skenaristit Grubi për të na defokusuar tek kinse “e kujt është partia” janë të dështuara. Prej sot nuk merremi më me këtë gjë. Kushdo që ka ankesa le t’i drejtohet Gjykatës.”- u përgjigj Arben Taravari – Kryetar i ASH.
Për këtë status të Taravarit, Sela thotë që Taravari le të vijë në mbledhjen e kongresit, me qëllim që të gjitha problemet të zgjidhen në mënyrë legale dhe të qetë.
“E udhës do të ishte që të mos na përsëritet situata e sotme ku kryetari i partisë mungoi në Kuvend dhe e udhës është që të vijë në kongres, dhe aty të zgjidhen këto çështje, dhe të mos kemi nevojë të shkojmë në gjykatë.”- tha Ziadin Sela – Kryetar i KQ – ASH.
Sa i përket akuzave të krahut të Taravarit se në ASH është futur BDI-ja, Sela thotë se ka përzierje, por këtë e ka bërë VMRO-DPMNE-ja mbi Taravarin dhe krahun e tij.
“Edhe subjekte tjera nga jashtë janë përfshirë në këtë që po ndodhë. Dëshmi më të mirë për këtë e keni deklaratën e kryetarit të VMRo-DPMNE-së i cili në paraqitje publike diku para dy ose tre javësh, ai deklaron thotë, më dëgjoni mirë, inçizoni këto që po them, që VMRO-ja do të shkojë me një pjesë të Aleancës dhe pjesa tjetër e Aleancës që do të ngelet.”- shtoi Ziadin Sela – Kryetar i KQ – ASH.
Vendimi zyrtar për shkarkimin e kryetarit do të sillet nga kongresi partiak, në mbledhjen që është caktuar për më 18 shkurt.