Me përmbylljen e edicionit të pesëmbëdhjetë të manifestimit tradicional artistik “Ura me tri harqe”, i cili këtë vit u mbajt në ambientet e Universitetit të Tetovës, u kurorëzua një ndër projektet më të njohura kulturore të universiteteve publike shqiptare. Ky aktivitet përmbushi një dëshirë të përbashkët që të sjellë përpara publikut artdashës sa më shumë veprimtari artistike në qytetin e Tetovës.Ngjarje të tilla përfaqësojnë simbolikën e ngritjes sonë të përbashkët në fushat e arsimit, shkencës dhe artit, si dhe theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve tona në trekëndëshin kombëtar: Tiranë – Prishtinë – Tetovë. Drejtuesit e institucioneve pjesëmarrëse e vlerësuan këtë veprimtari si një kontribut të rëndësishëm për kulturën dhe artin shqiptar, jo vetëm brenda trojeve tona, por edhe jashtë tyre, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Evropës së bashkuar dhe popujve të përparuar të kontinentit.Njohja e ndërsjellë mes pedagogëve dhe studentëve nga tri universitetet, si dhe shkëmbimi i përvojave, kontribuuan në forcimin e urave të bashkëpunimit dhe në garantimin e një të ardhmeje më të mirë për arsimin e lartë, në rrugën drejt reformave dhe integrimeve kombëtare e ndërkombëtare.Deklarata Programi i këtij edicioni ishte i ngjeshur dhe përfshiu, ndër të tjera, edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit të Arteve në Tiranë. Qëllimi i memorandumit është thellimi i partneritetit akademik, artistik dhe shkencor, duke përfshirë një sërë aktivitetesh konkrete të përbashkëta. Në këto projekte do të përfshihen aktivisht stafi akademik, drejtuesit dhe studentët nga të dy institucionet. Po ashtu, është paraparë organizimi i ekspozitave, debateve, konferencave, simpoziumeve, punëtorive dhe shkollave verore e dimërore në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës.Marrëveshja përfshin edhe lehtësimin e procedurave për transferimin e studentëve, nxitjen e shkëmbimeve të stafit dhe studentëve, si dhe shkëmbimin dhe përdorimin e përbashkët të literaturës artistike e shkencore dhe të platformave online.







