01/10/2022
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pranohet dorëheqja e Petkov ndërsa Borisov kërkon zgjedhje të reja

Kryeministri bullgar Kiril Petkov sot në mëngjes dha dorëheqje pasi javën e kaluar u votua mosbesim ndaj qeverisë së tij dhe ai humbi shumicën në parlament.

Presidenti i vendit, Rumen Radev, tashmë ka filluar konsultimet me partitë më të mëdha parlamentare, në përpjekje për formimin e Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje. Radev thotë se me gjithë sfidat aktuale nuk është koha për krizë politike. Në konsultime te presidenti, të parët që u paraqitën ishin deputetët e partisë GERB të Bojko Borisov dhe njoftuan se nëse do t’u jepej mandati për të formuar qeveri, do ta kthenin atë.

“A shihni potencial të mjaftueshëm në këtë Kuvend Kombëtar për të formuar një shumicë të re qeverisëse?”, pyeti Rumen Radev – President i Bullgarisë

“Nuk ka potencial për koalicion të bazuar në parime, ndërsa për koalicione pa parime, potenciali është ndoshta i madh. Nuk besoj se një shumicë e tillë do të ishte e qëndrueshme”, deklaroi Tomislav Donçev – GERB.

Borisov më parë theksoi se është e nevojshme të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejt të jetë e mundur dhe në ndërkohë, mohoi informacionet se ai po përgatitet për pension politik.

Ndryshe, deputetët e partisë së Petkovit dhe socialistëve bullgarë sot shkuan te presidenti Radev, për shkak të, siç theksuan, aktiviteteve në Kuvend rreth rishikimit të buxhetit. Për ta zgjedhjet nuk janë opsion dhe shpresojnë të formojnë qeveri.

“Ne në PSB besojmë se në kushte të tilla është më mirë që Bullgaria të bëjë një përpjekje për të formuar një qeveri, por gjithsesi në bazë të disa parimeve”, tha Rumen Geçev – deputet nga PSB.

Nga partia e Petkovit tashmë kanë thënë se do të përpiqen të udhëheqin një qeveri të pakicës, pa shumicë në Parlament. Rezultatet e fundit të një sondazhi të Gallup International tregojnë se 50.5% e bullgarëve nuk e miratojnë votën e mosbesimit ndaj qeverisë së Petkovit. Sipas procedurës, presidenti Radev ka mundësi që tri herë të japë mandat për formimin e qeverisë së re. Nëse askush nuk arrin të formojë qeveri, ai duhet të shpërndajë Kuvendin dhe të caktojë zgjedhje të reja që do të ishin të katërtat brenda dy viteve.

Të fundit