20/06/2024
29.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Prokuroria: Mbi 300 dëshmitarë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas Prokurorisë, në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet.

Prokuroria ka argumentuar se i duhen rreth 600 orë për paraqitjen e të gjitha provave – deri kah fundi i vitit 2024 apo fillimi vitit 2025 – ashtu që të ketë proces të drejtë gjyqësor.

Mbrojtja, në anën tjetër, ka kërkuar që procesi të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga Prokuroria.

Sipas mbrojtjes, Prokuroria ka “mungesë të qartë fokusi” në mënyrën si është paraqitur rasti.

“Të gjithë vijmë të pika që në fund do të kemi një material shumë të gjerë, që askush nuk e di sa i rëndësishëm është. Avantazhi i prokurorisë është që në këtë mënyrë e shtyn çështjen, duke futur sa më shumë materiale në proces”, ka thënë avokati mbrojtës i Veselit, Ben Emmerson.

Këto shkëmbime mes palëve janë kryer në konferencën përgatitore të 15 shkurtit për këtë proces gjyqësor.

Datë të saktë për nisjen e procesit gjyqësor nuk ka ende, ndonëse zyrtarë të Gjykatës kanë përmendur me raste fillimin e marsit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, pasi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

 

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, por vepron në Hagë të Holandës.

Kjo gjykatë e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte në dhjetor të vitit të kaluar.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Të fundit