13/07/2024
24.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Punonjësit e Kulturës prapë në protestë

Protesta e punonjësve të Filarmonisë ka vijuar edhe të hënën përpara Ministrisë së Kulturës. Jo vetëm heshtja e Ministrisë së Kulturës dhe indiferenca e treguar për kërkesat e tyre, por edhe sepse sipas tyre dy muajt e fundit kanë qenë cak i sulmeve, përhapjes së gënjeshtrave dhe dezinformatave që defokusojnë thelbin, argumentet dhe faktet.

Sindikata e punonjësve thotë se do të vazhdojnë protestën për shkak se ende nuk kanë marrë një përgjigje apo zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre që Orkestra Kombëtare e Xhazit të sapoformuar të mos të vendoset në objektin e Filarmonisë. “Ne jemi të bashkuar si kurrë më parë dhe do të luftojmë vendosmërisht, me fakte dhe argumente, kundër vendimit jotransparent që Ministria e Kulturës mori me dyer të mbyllura. Kjo nuk është një luftë politike dhe asnjë parti politike nuk qëndron prapa pikëpamjeve dhe vendosmërisë sonë. Kjo nuk është një luftë kundër kolegëve tanë. “Kjo është një luftë e përbashkët e 108 punonjësve të Filarmonisë ndaj vendimit të dëmshëm të Ministrisë së Kulturës”, thonë nga Filarmonia.

Nga aty theksojnë se opinioni po keqinformohet duke përhapur gënjeshtra dhe insinuata, por thonë se kjo nuk do t’i lëkundë. “Në këto sulme publike dhe poshtërime të punonjësve dhe institucionit tonë nuk ka asgjë korrekte dhe të qëndrueshme, përkundrazi promovohet injoranca elementare dhe mosnjohja e “materialit”, përhapet gjuha e urrejtjes për institucionin tonë, bëhet thirrje publike për bojkot të koncerteve tona… Dikush me vetëdije kërkon të fshijë faktin që ne i kemi mbështetur që në fillim kolegët tanë të xhazit dhe se nuk kemi asgjë kundër që ata të mbajnë koncerte (pa asnjë kompensim) në objektin e Filarmonisë. Jemi kundër vendimit për akomodimin hapësinor të një institucioni tjetër në adresën tonë”, thonë sindikalistët.

Pakënaqësia e punonjësve të Filarmonisë nisi në fund të muajit mars, pas vendimit të MK që Orkestra Kombëtare e Xhazit e sapoformuar do të zhvillonte prova dhe koncerte përkohësisht në objektin e tyre. Ata pretendojnë se në objektin e Filarmonisë nuk mund të punojnë paralelisht dy institucione.

Shoqata e Muzikantëve të Xhazit, nga ana tjetër, është përgjigjur se qëndrimet e punonjësve të Filarmonisë janë të pajustifikuara dhe të papranueshme dhe sipas tyre ekziston mundësia që këto dy institucione muzikore të bashkëpunojnë dhe të funksionojnë së bashku. Ata pohojnë gjithashtu se puna e tyre nuk do të ndërhyjë në punën e Orkestrës Filarmonike.

Ministria e Kulturës në disa raste ka theksuar se është duke punuar për një zgjidhje që së shpejti do të ndahet me të gjithë të interesuarit, duke theksuar se ky është një premtim i Ministres Kostadinovska-Stojçevska në disa takime. Siç sqarojnë ata, publiku po keqinformohet nga persona që nuk kanë shkelur asnjëherë këmbën në godinën e Filarmonisë dhe as nuk kanë qenë në ndonjë nga koncertet e tyre. Ata shtojnë se janë kundër vendimit për vendosjen e një institucioni tjetër në adresën e tyre. (koha.mk)

Të fundit