Të tjera lajme

QAMILI: KONGRESI – VLEN PO HYN NË NJË ETAPË TË RE POLITIKE!

Nesër më 9 Maj, në Shkup, VLEN mban Kongresin e bashkimit. Në një prononcim për Tv Koha, zëdhënësi, Albi Qamili, thotë se parapërgatitjet për kongresin kanë shkuar në mënyrë të duhur dhe nesër 850 delegatë do të vulosin etapën e re politike. Qamili ka ndarë edhe detaje tjera lidhur me Kongresin.

Më 9 Maj, në Ditën e Evropës, në Kongresin e Bashkimit, pesë subjekte politike do të marrin njërin nga vendimet më të rëndësishme brenda bllokut politik shqiptar në vend. Nga partnerë dhe aleatë politikë, VLEN bëhet një trup i vetëm.

Kështu thuhet në komunikatën e koalicionit VLEN, një ditë para mbajtjes së Kongresit të bashkimit.

Nga koalicioni VLEN për Tv Koha zbulojnë detajet dhe mbarëvajtjen e organizimit të Kongresit, ku 850 delegatë, sic thonë nga VLEN, do të vërshojnë drejt Kongresit të Bashkimit për ta vulosur premtimin që VLEN të bëhet NJË.

ALBI QAMILI – Zëdhënës i VLEN-it

“Nesër më 9 Maj në Shkup në ora 17.30, do të mbahet Kongresi i Bashkimit. Në këtë Kongres do të marrin pjesë mbi 850 delegatë, ku do të zgjidhen dy bashkëkryetarët, Kuvendi I subjektit të ri VLEN, do të zgjidhet edhe Presidenca e cila do të përbëhet nga liderët e deritashëm të partive që e kanë përbërë VLEN-in. Kuvendi do të ketë 101 anëtarë, Presidenca do të ketë 5 anëtarë dhe të gjitha vendimet do të merren në Presidencë dhe do të ketë një Kryesi e cila do të përbëhet nga funksionarët e eshalonit të parë, por ajo më shumë do të jetë organ konsultativ, vendimet më të rëndësishme do të merren në Presidencë dhe në Kuvendin Qendror të VLEN-it”

Në Kongres pritet të jenë të pranishëm edhe mysafirë nga vendi dhe jashtë. Qamili thotë se ftesat u janë dërguar gjithë faktorit politik në vend por edhe në rajon.

“Do të ketë një pjesë të madhe të korit diplomatik këtu në RMV që do të marrin pjesë në Kongres, do të ketë eksponentë të partive politike shqiptare dhe të bllokut politik maqedonas nga vendi, gjithashtu do të ketë edhe figura politike jashtë vendit sic janë nënkryetari dhe sekretari i PD-së Shqipërisë, Nënkryetari I partisë “Shqipëria bëhet”, do të ketë edhe nga Kosova si nga partia më e madhe LVV-ja edhe nga partitë tjera, gjithashtu do të ketë mysafirë edhe nga Lugina e Preshevës, sic është Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe shumë mysafirë të tjerë që nesër do t`i sheh opinion”

Nga VLEN përmes komunikatës potencojnë se kur u krijua VLEN, jo të gjithë besuan se ky rrugëtim do të arrinte deri në këtë fazë, duke shtuar se ka patur njerëz që kanë punuar hapur që ky bashkim të mos ndodhte.

VLEN insiston se ky bashkim nuk është i imponuar. Sipas tyre, është rezultat i bindjes se shqiptarët nuk fitojnë kur politika fragmentohet, por kur energjia dhe përfaqësimi bashkohen dhe organizohen.

Pikërisht për këtë arsye, VLEN thotë se ky bashkim ka peshë historike./Tv Koha/

Të fundit