Nxënësit e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, nga viti i ardhshëm shkollor, do të kenë mundësinë të mësojnë dhe ushtrojnë notin brenda ambienteve të shkollës. Hapësira e planifikuar do të shndërrohet në pishinë, e cila do të shfrytëzohet nga profesorët e edukatës fizike për t’u mësuar nxënësve bazat e notimit. Drejtoresha e shkollës, Sihana Kaba Kasami, thotë se stafi dhe nxënësit ndihen të privilegjuar që kjo mundësi u është ofruar nga Komuna e Tetovës dhe Ministria e Arsimit.
SIHANA KABA KASAMI – Drejtoreshë e SHFK “Kirili dhe Metodi”
Ndërkohë, prindërit shprehen shumë të kënaqur me këtë investim. Sipas tyre, në një kohë kur përdorimi i teknologjisë nga fëmijët është në rritje të vazhdueshme, është e rëndësishme që institucionet të krijojnë sa më shumë mundësi për aktivitete fizike. Ata vlerësojnë se noti është një nga sportet më të dobishme për korrigjimin e deformimeve trupore që shfaqen te nxënësit si pasojë e qëndrimit të gjatë ulur dhe mbajtjes së çantave të rënda shkollore.
Megjithatë, përveç pishinës, shkolla ka nevojë edhe për një sallë të mbyllur sportive, e cila do të mund të shfrytëzohej gjatë ditëve me kushte të pafavorshme atmosferike, si shi apo borë. Drejtoresha Sihana Kaba Kasami thekson se shkolla disponon hapësirë të mjaftueshme për ndërtimin e një salle sportive dhe se një investim i tillë është i domosdoshëm. Ajo u bën apel institucioneve kompetente që sa më shpejt të sigurojnë kushtet për realizimin e këtij projekti.
SIHANA KABA KASAMI – Drejtoreshë e SHFK “Kirili dhe Metodi”
Se nevoja për një sallë sportive është e madhe e pohojnë edhe prindërit.
Pishina, me një pagesë simbolike, do të jetë në dispozicion edhe të banorëve të lagjes, të cilët do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre për aktivitete noti pas përfundimit të orarit mësimor. Ndërkaq, SHFK “Kirili dhe Metodi” vazhdon të shënojë rritje të numrit të nxënësve të regjistruar nga viti në vit, ndryshe nga disa shkolla të tjera, veçanërisht ato në zonat rurale, ku numri i nxënësve po pëson rënie të vazhdueshme./Tv Koha/







