Të tjera lajme

KF SHKËNDIJA: NËSE FFM-ja NUK E KORIGJON VENDIMIN, TËRHIQEMI NGA FUTBOLLI NË RMV!

Udhëheqësia e KF Shkëndija dhe sponsori i tyre “Ecolog” kanë reaguar ashpër, duke e vlerësuar vendimin e FFM-së si skandaloze dhe të qëllimshme. Në reagim potencohet se KF Shkëndija është një nga subjektet më stabile në futbollin e Maqedonisë, i cili me prezantimet në kupat evropiane ka kontribuar në ngritjen e koeficientit të ligës. Sipas tyre, vendimet e këtilla administrative, me dyer të mbyllura, degradojnë investimet e tyre shumëvjeçare duke paralajmëruar mundësinë që të tërhiqen plotësisht nga Liga e Futbollit të Maqedonisë, nëse FFM-ja nuk i rishqyrton dhe korigjon sanksionet e shqiptuara.

KF Shkëndija ka qenë ndër klubet e pakta që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe përputhshmëri të plotë me obligimet sportive e financiare – thuhet në reagimin e klubit tetovar.

Sipas tyre, kontributi ynë ndër vite ka pasur kosto, mund dhe sakrifica të mëdha. Për më tepër, Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane.

KF SHKËNDIJA

“Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit. Presim që organet e FFM-së të reflektojnë me urgjencë, në interes të drejtësisë sportive, klubit dhe të ardhmes së futbollit në përgjithësi”

Reagimi i KF “Shkëndija” vjen pasi FFM-ja shqiptoi masa të rënda disiplinore ndaj tetovarëve, për shkak të incidenteve në finalen e Kupës.

Të rikujtojmë se Shkëndija u dënua me 105.000 euro, u përjashtua nga Kupa e Maqedonisë për sezonin 2026/2027 dhe katër ndeshjet në sezonin e ardhshëm duhet t`i zhvillojë pa prezencën e publikut.

/Tv Koha/

Të fundit