Instituti për Shëndet Publik në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se nga testimet e kryera gjatë natës, shtatë të testuar rezultuan pozitivë me Kovid-19, me çka numri zyrtarë i të infektuarve me virusin vdekjeprurës në vend arriti në 86, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Të gjitha rastet e zbuluara janë nga një fshat në komunën e Malishevës dhe kanë qenë në kontakt me persona të infektuar më parë dhe ditët e fundit kanë qenë në vetizolim .
Sipas kumtesës së IKSHPK-së, janë testuar mostra nga kjo zonë kritike të gjithsej 25 personave, shtatë prej të cilëve rezultuan pozitivë.
Më herët gjatë ditës, në laboratorin për mikrobiologji molekulare në IKSHPK u testuan 89 persona, për të cilët kishte dyshim se ishin të infektuar. Tek tetë prej tyre u zbuluan se kishin praninë e virusit Kovid-19, kështu që numri i përgjithshëm i rasteve të sapozbuluara të koronavirusit të enjten ishte 15 persona.
Ministri kosovar i Shëndetësisë Arben Vitia gjithashtu dje njoftoi se njëri nga pacientët që më parë ishte diagnostikuar me koronavirus, pas ekzaminimeve të duhura në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ishte shëruar nga kjo sëmundje infektuese, rasti i parë i tillë në Kosovë.
Që nga 8 shkurti, përfshirë ditën e djeshme, janë testuar gjithsej 880 mostra të personave që dyshohet se ishin të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 86 raste rezultuan pozitivë, ndërsa një person, burrë i moshës 82 vjeçare, vdiq, thuhet në kumtesën e IKSHPK. bs/bsh/