24/05/2024
11.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Vazhdojnë kërkimet për nëndetësen e zhdukur turistike në Oqeanin Atlantik

Forcat Ajrore Kanadeze vazhduan me fluturime mbi Oqeanin Atlantik për të gjurmuar origjinën e tingujve të dëgjuar nga thellësitë e Atlantikut të Veriut në kërkim të nëndetëses turistike me 5 persona në bord, e cila u zhduk gjatë lundrimit drejt rrënojave të anijes gjigante Titanik në Atlantik ndërsa shpresat po shuhen në orët e fundit përpara se zhytësve t’u mbarojë oksigjeni, raporton Anadolu.

Sipas llogarisë së mediave sociale të Forcave Kanadeze, CP-140 Aurora Plane nga 14 Wing Greenwood (Baza e Forcave Kanadeze) ka ofruar shërbimin e kërkimit në sipërfaqe dhe zbulim akustik nëntokësor.

Burimi i tingujve të zbuluar të martën ende nuk është konstatuar, ndërkaq kapiteni i Rojës bregdetare të SHBA-së, Jamie Frederick tha se ekspertët po vazhdojnë t’i analizojnë tingujt e kapur për të përcaktuar nëse ishin nga njeriu apo ishin natyrore.

Pesë anije kërkimi, anije pa pilot nënujore (ROV) dhe avionë janë aktualisht duke shoshitur zonën në kërkim të ndonjë gjurme të nëndetëses turistike Titan, ndërkaq sipas Rojës Bregdetare ky numër pritet të dyfishohet në 10 deri të premten më së voni. Avionët P-3 Poseidon dhe C-130 po vazhdojnë kërkimet në zonë në ndërrime 14 orësh.

Në përpjekjet e kërkimit janë përfshirë personel nga Kanadaja, Franca dhe Britania e Madhe.

Frederick tha se ROV-të ose mjetet e dirigjuara nga distanca, u zhvendosën në lokacionin ku u regjistruan disa tinguj të martën, por “dhanë rezultate negative”, ndërsa operacionet janë në vazhdim.

“Ne jemi të fokusuar në kërkimin në këtë pikë. Ky është një mision kërkimi dhe shpëtimi njëqind për qind. Gjithmonë duhet të kemi shpresë”, tha ai.

Zyrtarët thanë më herët se nëndetësja Titan kishte oksigjen për rreth 96 orë për ekuipazhin prej 5 personash që u zhduk të dielën. Afati kohor skadon afërsisht të enjten në mëngjes, por Frederick tha se kjo paraqet “vetëm një pjesë të të dhënave”.

“Ka shumë të dhëna që duhet t’i marrim parasysh. Ndërsa ne në mënyrë të vazhdueshme e bëjmë këtë dhe do ta bëjmë vazhdimisht”, tha ai.

Frederick nuk pranoi të thoshte se kur zyrtarët mund të zhvendosin përpjekjet nga operacionet e shpëtimit në rikuperim, por tha: “Ne nuk jemi ende atje”.

Në bordin e nëndetëses turistike Titan janë miliarderi britanik Hamish Harding, i cili zotëron Action Aviation; biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij, Soleiman; kapiteni francez i nëndetëses Paul Henry Nargeolet dhe Stockton Rush, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i OceanGate, i cili zotëron anijen dhe organizoi misionin.

Bileta 8-ditore e turneut, e cila përfshin zhytjen për të parë rrënojat e Titanikut, kushton 250 mijë dollarë.

Titaniku shtrihet në dyshemenë e Oqeanit Atlantik, më shumë se 3.2 kilometra nën sipërfaqe.

Anija luksoze e lundrimit Titanik, e cila u shpall si “anije që nuk mund të fundoset”, lundroi nga qyteti anglez Southampton më 10 prill 1912, me 2.224 pasagjerë dhe ekuipazh, e cila ishte nisur drejt New Yorkut.

Më 15 prill, ndërsa ishte në udhëtimin e saj të parë, anija u fundos në Atlantikun e Veriut pasi goditi një ajsberg.

Më shumë se 1.500 persona humbën jetën në këtë tragjedi ndërsa shumë prej të tyre ishin pasagjerë të varfër në kuvertën e klasit të tretë të anijes. Varkat e shpëtimi ishin të mjaftueshme vetëm për 1.178 persona. Pas mbërritjes në vendin e përplasjes disa orë më vonë, anija me emrin “Carpathia” shpëtoi 710 persona.

Të fundit