Ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” do të mbahet, të hënën e 26 Tetorit, në Londër, e jo sikurse deri tani në Paris. Për 70-vjetorin, organizatorët zgjodhën Anglinë në shenjë respekti për fituesin e parë të trofeut, i krijuar që në vitin 1956 nga revista “Frans Futball”, futbollistin anglez Stenli Metjus.
Çmimi më prestigjioz individual në botën e futbollit, “Topi i Artë”, këtë vit për herë të parë në histori do të ndahet jashtë Francës.
Siç njoftuan zyrtarisht organizatorët France Football dhe UEFA, ceremonia solemne e shpalljes së më të mirëve për vitin 2026 do të mbahet më 26 tetor në Londër.
Ky vendim ka një simbolikë të thellë, pasi çmimi i themeluar në vitin e largët 1956, me këtë gala spektakolare do të festojë jubileun e 70-të.
Zgjedhja e Londrës është një homazh emocional për legjendën angleze të futbollit, Sir Stanley Metjus, i cili para saktësisht shtatë dekadash ishte fituesi i parë historik i këtij çmimi.
Ndërsa sezoni evropian i klubeve po arrin kulmin, me finalen e madhe të Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe PSG-së këtë të shtunë, si dhe para nisjes së Kupës historike të Botës në Amerikën e Veriut, opinioni futbollistik tashmë po debaton se kush do t’i pasojë fituesit e vitit të kaluar, Aitana Bonmati dhe Ousmane Dembele.
Lista e favoritëve për këtë vit premton një nga garat më të paparashikueshme të epokës moderne.
Votimi për këtë çmim prestigjioz mbetet tradicional dhe i kontrolluar rreptësisht.
Fituesi do të zgjidhet nga një juri globale e përbërë nga gazetarë të specializuar sportivë nga e gjithë bota.
Secili prej tyre zgjedh top 10 futbollistët e tij nga lista e ngushtë prej 30 lojtarësh të nominuar, të cilën e përgatisin së bashku France Football, L’Équipe dhe UEFA.








