24/05/2024
13.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedoni e Veriut – Bullgari: Në vend të historicizmit evropianizëm

Humbja e shqiptarëve si partner, qoftë në bashkëqeverisje, qoftë në bashkëfqinjësi, është krimbi që dëmton më së shumti shtyllat e kohezionit të brendshëm ndëretnik. Prandaj nacionalizmi maqedonas i shfqur kohët e fundit nëpër protetesta i ngjan një inkubatori të madh ku po zhvillohen krimbat e tillë, të cilët me apo pa vetëdije kanë për qëllim të shkatërrojnë ato pak ura mirëkuptimi që i kanë ndërtuar shqiptarët bashkë me një pjesë të shoqërisë së arsyeshme maqedonase.

Nga prof.dr. Skender ASANI

Nga protestat e fundit në Shkup, si pasojë e kundërshtimit të Propozimit francez që i hap udhë negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, mund të konkludohet se VMRO-DPMNE gjithnjë e më tepër po afrohet me Levicën, por në anën tjetër po largohet nga shqiptarët. I bie që kjo parti politike maqedonase, duke u bërë zgjatim i Levicës (lexo: Rusisë) po rrëshqet nga orientimi perendimor drejt një humnere e cila në epiqendër e ka krizën ndëretnike.
Pa shqiptarët, partitë maqedonase e kanë vështirë të zhvillojnë kauza shtetndërtuese, sepse vetëm duke kooperuar me shqiptarët shtohet kohezioni ndëretnik, që është parakusht i shmangies së lëndimi të identitetit nacional të maqedonasve.
Investimi politik i shqiptarëve për ta kursyer Maqedoninë nga krizat e brendshme ndëretnike, është kapitali më i madh moral i tyre për arsye se, në njërën anë, shqiptarët treguan sens të lartë mirëkuptimi ndaj plagëve identitare maqedonase që vazhdimisht gërvishteshin nga fqinjët dhe, në anën tjetër, ata hoqën dorë nga shumë kauza të tyre nacionale në favor të kohezionit të brendshëm ndëretnik.
Ata që protestojnë tani kundër propozimit francez dhe ata që në heshtje miratojnë këto protesta ende nuk e kanë të qartë se maqedonasit vetëm në bashkëjetesë me shqiptarët nuk asimilohen, sepse shqiptarët përpos që kanë një gjuhë dhe kulturë shumë të ndyrshme, ata nuk kanë pasur asnjëherë aspirata hegjemoniste e asimiluese kundrejt maqedonasve. Këtë e dëshmon historia, por edhe bashkëkohësia, ku rezulton që vetëm nga ana e shqiptarëve deri më tani asnjëherë nuk është kontestuar emri, gjuha, kisha dhe identiteti nacional i maqedonasve.
Humbja e shqiptarëve si partner, qoftë në bashkëqeverisje, qoftë në bashkëfqinjësi, është krimbi që dëmton më së shumti shtyllat e kohezionit të brendshëm ndëretnik. Prandaj nacionalizmi maqedonas i shfaqur kohët e fundit nëpër protetesta i ngjan një inkubatori të madh ku po zhvillohen krimbat e tillë, të cilët me apo pa vetëdije kanë për qëllim të shkatërrojnë ato pak ura mirëkuptimi që i kanë ndërtuar shqiptarët bashkë me një pjesë të shoqërisë së arsyeshme maqedonase.
Roli stabilizues dhe ekuilibrues i shqiptarëve për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut, po shihet edhe nga dimensioni i përfaqësimit në politikën e jashtme nga ana e një kuadri shqiptar. Gabimi më i madh i protestuesve maqedonas, të cilët po frymëzohen dhe mbështeten nga VMRO dhe Levica, është se ata gabimisht e kanë projektuar Bujar Osmanin si target i interesave gjoja antimaqedonase, ndonëse realisht z.Osmani diplomacisë së Maqedonisë së Veriut po i sjell gurin e peshores që po mban në drejtpeshim kohezionin e brendshëm ndëretnik dhe aspiratat eurointegruese të vendit.
Kjo edhe për faktin se këto protesta, në dukje të pare mund të kenë shqetësime të brendshme nacionale maqedonase, por në instance të fundit ato iu shkojnë për shtati axhendave pro-ruse që nuk e duan një shtet si Maqedoniae Veriut të jetë e integruar në BE- së
Jo rastësisht edhe eurodeputetja në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka ngritur shqetësimin se protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut mund të shfrytëzohen nga Rusia për t’u përhapur dhe në Mal të Zi.
“Kur shtetet anëtare të BE-së dështojnë të japin çfarëdo shpërblimi të prekshëm ndaj një qeverie progresive në Ballkanin Perëndimor, ne kemi këso trazirash në Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht edhe në Mal të Zi, që mund të eksploatohen nga Rusia dhe aktorë të tjerë”, shkroi Cramon në Twitter.
Hiq më pak i shqetësuar lidhur me këtë temë doli dhe vet Presidenti Pendarovski i cili e tha hapur se protestat mund të përdoren nga Rusia.
Propozimi francez që po kundërshtohet kaq shumë nga protestuesit maqedonas, është çelësi më adekuat që mbyll “kutinë e Pandorës”, duke pamundësuar jetësimin e opsioneve të shekullit 19 dhe krijimin e hapësirave euro-atlantike të shek. 21.
Propozimi francez në fakt shprehë frymën perendimore të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve ballkanike , por që ka edhe një garancë të fuqishme amerikane, ngjashëm si në Konferencën e Paqës në Paris (1919), kur SHBA prishi skemat e aleancve të fshehta e të hapura ballkanike në favor të zgjidhjes së çështjes kombëtare për popujt e Ballkanit.
Nëse protestuesit maqedonas nuk e kanë ende të qartë këtë rol amerikan, le ta krahasojnë gjendjen para dhe pas njohjes së Kishes Autoqefale Maqedonase nga ana e Serbisë, një akt ky që erdhi si rezultat i ndikimeve gjeopolitike euro-atlantike dhe në vigjilje të agersionit rus në Ukrainë.

Negociatata bullgaro-maqedonase patën dritë-hijet e tyre, por problemi më i madh që ndoqi këto negociata ishte futja e tyre në korniza të ngushta ku dominonte qasja historiciste e shek. 19.
Në dy vitet e fundit këtë qasje të gabuar të elitave politike maqedonase dhe bullgare jam munduar ta eksplikojë në disa analiza të botuara në disa gjuhë të botës, ku në thelb të tyre ishte domosdëshmëria e futjes së këtyre negociatave në një proces euo-atlantik, ku do të dominonte fryma e mirëkuptimit dhe e bashkëpunimit, ngjashëm siç vepruan Gjermania dhe Franca pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat nga dy armiqë të mëdhenj u shndërruan në partnerë të shkëlqyeshëm në krijimin e kësaj që sot quhet Bashkim Evropian.

Për të gjithë ata që nuk i kanë lexuar këto analiza, tani kanë rastin ta bëjnë këtë, duke i patur në një vend të gjitha, me titujt e pandryshuar, dhe sipas kronologjisë së botimit të tyre.

Procesi Europian i mirëkuptimit – çelësi i vetëm i afrimit në mes të Shkupit dhe Sofjes
(botuar më 24-01-20220)
Vend për hezitim dhe humbje kohe nuk ka, prandaj Maqedonia e Veiut dhe Bullgaria duhet sa më parë të bëhen bashkët në përpjekjet për të gjetur një gjuhë të qartë mirëkuptimi, në një proces që do të monitorohej nga BE, Washingtoni dhe OKB.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik, i ndihmuar nga Washingtoni, Brukseli dhe OKB, i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik, ku gjeopolitika e re nuk shkon bashkë me hisorinë e vjetër.
Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë, Beograd, Sofje dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste e egocentrike të problemeve.
Në radhë të parë, duhet hequr dorë nga praktika e demoduar e formimit të komisoneve të historisë, dhe së dyti urgjentisht duhet anuluar rezolutat e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të miratuara kohë më parë nga parlementet e këtyre dy shteteve, e të cilat ishin të motivuara gabimisht nga një frymë retrograde që tani po kërkon largimin e trupave të NATO-s nga kjo pjesë e Ballkanit.
Sofja dhe Shkupi kanë nevojë për proces mirëkuptimi i cili do të ndihmohej nga BE dhe nga Washingtoni, por edhe nga OKB, ku në qendër të interesimit do të ishte jo e shkuara por e ardhmja e popujve të këtyre dy shteteve.
Kriza e tanishme dhe vringëllima e armëve në kufinjt e Ukrainës, në një të ardhme jo të largët mund të rrëshqet edhe në rajonin e Ballkanit, por kjo do të mund të parandalohej nëse elitat politike në Sofje dhe në Shkup e lexojnë drejt mesazhin kërcënues që vjen nga krijimi i “tampon zonave” , si rezultat i mosprezencës së trupave të NATO-s dhe nga proceset e vonuara eurointegruese.
Në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari ka aq frymë të mjaftueshme properendimore, e cila do të shërbente si ventilim të proceseve pozitive për të ardhmen e popujve të këtyre dy vendeve. Çdo qasje tjetër që nuk e ka këtë frymë, do të ishte një kthim prapa, kurse kërcënimi i paqës dhe stabilitetit rajonal mund të bëhet pjesë e manualeve ushtarake të Kremlinit.
Nuk guxojmë as të mendojmë se jemi aq të paaftë ta kuptojmë se, me këto obstruksione që po bëhen në marrëdhëniet aktuale bullgaro-maqedonase, në cilin manual duan të na e mbyllin ardhmërinë tonë!

Nuk mund të ketë ardhmëri me shikim në retrovizorët e historisë
(Botuar më 16. 11. 2021)
Marrëdhëniet në mes të popujve në Ballkan gjithmonë kanë qenë të ngarkuara me tensione dhe raporte të pasqaruara etnike si pasojë qasjes së gabuar të elitave politike për t’i tejkaluar ato probleme. Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë.
Kjo vlen edhe për kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të shmangen nga hijet e së kaluarës dhe t’i mbështeten plotësisht procesit eurointegrues të BE, që parasëgjithash kërkon fqinjësi të mirë dhe besim reciprok në mes të palëve.
Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste të problemeve.
Nuk mund të ecet përpara duke e mbajtur shikimin në retrovizorin e historisë sepse aksidentet në rrugëtim janë të pashmangshme. Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

E ardhmja nuk mund të futet në muze!
(Botuar më 18-02-2022)
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do të hapte perspektiva për shumë çështje të përbashkëta nga fusha e ekonomisë, turizmit, energjetikës, shkëmbimit kulturor etj. Korridori 8 mund të jetë një nga ato çështje të përbashkëta, kurse e kaluara historike duhet të kalojë nëpër një process të ngadalshëm mirëbesimi recipropk, por gjithmonë duke aplikuar metoda që tash më janë të mirënjohura si zgjidhje afatgjate të problemeve të grumbulluara.
Nëse tejkalimi i ngërçit në mes të Bullagarisë dhe Maqedonisë së Veriut shikohet ekskulzivisht nën prizmin e kontesteve e sherreve historike, atëherë marrdhëniet në mes të dy vendeve vështirë se do të shënojnë ndonjë përparim kurse e ardhmja e përbashkët e të dy popujve do të groposet dikund në istikamet e shekujve të kaluar.
Nëse i hedhim një sy marrëdhënieve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë, do të vërejmë se më shumë ka gjëra që i bëjnë bashkë se sa që i ndajnë këto dy shtete. Prandaj në vend se të punohet që gjërat e përbashkëta të avancohen dhe të marrin një dimension të ri të mirëkuptimit reciprok, Shkupi dhe Sofja sikur po parapëlqejnë që gjatë gjithë kohës ta mbajn shikimin në retrovizorët e historisë, por edhe këtë e bëjnë gabimisht, sepse nuk kanë arritur të gjejnë një formulë përbashkuese që do t’iu ofronte kompromis dhe avancim nga pozita zero. Ende Sofja dhe Shkupi, bie fjala, nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket trajtimit të Holokaustit, një çështje kjo mjaft delikate e cila kërkon qasje profesionale dhe kurajo qytetare. Në fakt, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut mund të bien dakord që këtë çështje t’ia lënë Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për ta trajtuar, me kusht që të dy shtetet respektive t’i pranojnë rekomandimet e kësaj organizate kredibile e që do të përfshihen në marrëveshjen finale të mirëkuptimit në me të dy vendeve.
Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politik iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Kjo mund të vërehet në marrëdhëniet problematike në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe në zhvillimet aktuale në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Prandaj Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nuk guxojnë të ndjekin këto modele të këqia të tejkalimit të problemeve rajonale, dhe sidomos jo të presin epilogun e zgjidhjes së këtyre problemeve, për arsye se perspektiva e këtyre dy vendeve përpos që duhet të jetë evropiane, ajo duhet të ngrihet mbi bazën e interesave të përbashkëta, e jo mbi “minat” e së kaluarës që mund të rrënojnë urat e së ardhmes. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë dhe temave puro etnike, siç është propozimi për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e RMV apo ideja për ceremoini të përbashkëta në shënimin e ngjarjeve nga e kaluara historike. Këto dhe çështje të tjera mund të prodhojnë domino efekte dhe të inkurajojnë rrymat politike ekstremiste që të kërkojnë reciprocitet në çdo propozim. Prandaj këto çështje të nxehta duhet të lihen që të marrin një dinamikë tjetër të zgjidhjes, atëherë kur niveli i mirëbesimit reciprok do të ishte në kulmin e tij.
Këto ide, në vend se të ofrojnë zgjidhje, ato e bllokojnë edhe më tepër procesin e shtensionimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, prandaj Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet sa më pare të përpilojnë një master plan të ri bashkëpunimi ku prioritet do të kishin temat nga ekonomia, turizmi, transporti, kultura, shkenca e jo temat e nxehta të historisë, të cilat duhet të kalojnë në një proces të ngadalshëm të valorizimit të së kaluarës nën optikën e perspektivës euro-atlantike. Gjithashtu është e gabuar ideja që të gjitha këto problem të hapura të vendosen brenda një kornize të caktuar kohore për t’u zgjidhur. Çdo kornizim e dëmton procesin e përafrimit, prandaj limitet kohore duhet të mënjanohen nga vokabulari diplomatik të dy vendeve, në mënyrë që e ardhmja të mos bëhet peng i së kaluarës.
Gjithçka që i takon së kaluarës, përfundon në muze, kurse e ardhmja e përbashkët është reflektim i qasjes së drejt që i bëhet të kaluarës.
Por, e ardhmja assesi nuk mund të futet në muze!

Ngërçi bullgaro-maqedonas mund të tejkalohet nga një diplomaci e kombinuar euro-amerikane

(Botuar më 10 maj 2022)
Zbërthimi i së kaluarës na ndihmon shumë t’i mësojmë të papriturat e së ardhmes. Por kjo nuk mjafton nëse nuk i eliminojmë kurthet që ngre aktualiteti. Dhe një prej kurtheve në të cilat kanë rënë marrëdhëniet bullgaro-maqedone është qasja historiciste e problemeve në mes të këtyre dy vendeve. Rrënjët e kësaj qasjeje janë që në kohën e Krizës Lindore e këndej, atëherë kur Rusia pas triumfit mbi Perandorinë Osmane, përmes Traktatit të Shën Stefanit, zgjeronte ndikimin e vet në Ballkan, duke e përdorur Bullgarinë e Madhe (pjesën evropiane të Perandorisë Osmane) si trampolinë për të shtri influencën e vet në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Kjo ishte edhe arsyeja e mbledhjes së Kongresit të Berlinit (1878), i cili i revidonte të gjitha vendimet e Shën Stevanit dhe garantonte kufinjtë e jashtëm të Perandorisë Osmane, ndërkohë që Rusia vazhdonte të punonte në shkatërrimin nga brenda të kësaj perandorie. Evropa edhe njëherë tentoi por pa sukses të ndalë këtë strategji ruse në Ballkan, duke organizuar Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), e cila nuk prodhoi kurrfarë stabiliteti për popujt e Ballkanit, prandaj ky ishte edhe shkaku i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila erdhi pasi ishte krijuar Aleanca Ballkanike, ku Rusia sërish ishte sponzorizuesja kryesore.
Nëse bëjmë një komparacion në mes të rrethanave aktuale dhe atyre që përmendëm më lart, do të shohim se Evropa vazhdimisht është vonuar në ofrimin e zgjidhjeve adekuate për Ballkanin. Dhe kjo ka vazhduar deri në vitin 1919, kur Amerika del si fuqi dominuese politike e diplomatike në Konferencën e Paqës në Paris, atëherë kur Presidenti Wudro Vilson paraqet një platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare të popujve të vegjël të Ballkanit. Është po ajo Amerikë e cila në vitin 1999, pas vonesave të pafalshme të Evropës, u tregua sërish më energjike në ofrimin e zgjidhjeve për Kosovën, që rezultoi në çlirimin e saj nga dominimi serb.
Ka ardhur koha që një zgjidhje e tillë të ofrohet edhe në tejkalimin e ngërçit në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, me angazhimin e një emisari special amerikan i cili duke zbatuar një “buldozer diplomaci” do të ofronte një formulë më pragmatike ku nuk do të lëndohej as sentimenti historik i Bullgarisë as identiteti nacional i maqedonasve etnik. Por e gjithë kjo në bashkërendim me Brukselin, sepse BE deri më tani nuk ka folur me një zë sa i përket tejkalimit të problemeve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Përvoja historike ka dëshmuar se Evropa është treguar e pafuqishme në mbylljen e vatrave të krizave rajonale, prandaj ka ardhur koha që Brukseli dhe Washingtoni të caktojnë emisarët e tyre special të cilët do të ofronin zgjidhje të koordinuar për Shkupin dhe Sofjen.
Ideja për të krijuar komision historianësh që do të zgjidhnin këtë kontest, është joproduktive, sepse komisionet e tilla janë mbetje të së kaluarës , të cilët në vend se të hapin udhë, i mbyllin dhe më tepër. Praktika ka dëshmuar se komisionet e tilla prodhojnë më tepër krizë dhe ngërçe, përmes vijave të kuqe që vazhdimisht vizatohen në tryezat e bisedimeve. Këto janë edhe ato xixat që frymëzojnë konfliktet e brendshme dhe si ushqim i doktrinave të ndryshme nacionaliste. Ka plot njerëz që besojnë se këto konflikte nuk mund të ndodhin, sepse këtu e kemi NATON-n, por kjo është një mendësi e gabuar sepse NATO i siguron vetëm kufinjtë e jashtëm të shteteve anëtare, por jo edhe territoret brenda shteteve. Hapësira e një shteti menaxhohet nga resurset e atij shteti, qoftë në planin politik e ekonomik, por dhe në atë të sigurisë. Për rrjedhojë, thellimi i mosppajtimeve në mes të Sofjes dhe Shkupit mundet të reflektohet në marrëdhëniet e brendshme etnike në Maqedoninë e Veriut, sepse një identitet i lënduar i maqedonasve don të thotë konflikt i brendshëm me shqiptarët. Zatën ky është edhe lajtmotivi i diplomacisë ruse, e cila duke ngadalësuar tejkalimin e ngërçit në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, synon të largojë sa më shumë ndikimin Perendimor, sidomos të BE-së, NATO-s dhe SHBA-së në Ballkan. Prandaj shpiken vijat e kuqe, si veglat kryesore të bllokadave eurointegruese. Një qasje e tillë anakronike e kontraproduktive duhet sa më parë të ndërpritet, sepse janë pengesë e integrimit të Maqedonisë në BE. Mosintegrimi, siç dihet, ka pasoja të shumta, kurse kjo më së paku iu konvenon qytetarëve tanë, sidomos shqiptarëve.
Me trajtimin e problemeve aktuale, siç janë ato për pakicat, gjuhën, identitetin, çështjet territoriale, kontestet historike, nuk do të ishin shumë të rëndësishme kundrejt çështjeve të tjera, përfshi edhe ato të integrimit, që edhe janë thelbësore në rastin konkret.
Kontributi i historianëve dhe studiuesve të tjerë duhet të jetë në një linjë me frymën e re të mirëkuptimit rajonal dhe proceseve euro-integruese. Kjo mund të arrihet vetëm nëse historiografia përfshihet në pragmatizmin e politikave bashkëpunuese dhe në krijimin e perspektivave për popujt dhe vendet tona.
Problemet e hapura në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duhet të kenë një dioptri krejt tjetër, më moderne dhe më kreative. Të dyja vendet tona, më shumë se për hijet e së kaluarës, kanë nevojë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse ngrihen komisione qeveritare të mirëkuptimit në Shkup dhe në Sofje, të cilët do të vepronin në kontinuitet dhe problemin do ta trajtonin si proces, e jo si ngarkesë historike. Një hap i vogël, por pozitiv është hedhur me caktimin e një mediatori nga ana e Maqedonisë së Veriut, i cili po punon më tepër nga prizmi pragmatik e jo historik. Kjo gjithsesi do të kontribuonte që i gjithë ky proces të përfshihet në axhendën e eurointegrimeve, për arsye se e ardhmja e Ballkanit është gjeopolitikë euro-atlantike, kurse Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të ngelin në hartën e kësaj gjeopolitike. Shkupi dhe Sofja duhet të jenë më inkurajues në gjetjen e pikave që i bashkojnë interesat e tyre për një të ardhme evropiane dhe kjo mund të arrihet nëse punohet në ngritjen shkallës së besimit dhe mirëkuptimit reciprok.
Një model jo i largët që shërbeu si çelës për të mbyllur problemet e hapura rajonale ishte kontesti Maqedoni-Greqi, i cili u tejkalua vetëm në saje të modaliteteve pragmatike të politikave të mirëkuptimit dhe besimit reciprok. Paraprakisht kemi edhe Marrëveshjen e Ohrit, e cila u tregua si një udhërryëfyes i avancuar në tejkalimin e dallimeve ndëretnike brenda një shoqërie, ku kontributi i faktorit politik shqiptar ishte mjaft inkurajues. Kjo është vërejtur edhe në finalizimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila nuk do ta kishte shkëlqimin e vet pa përfshirjen e faktorit politik shqiptar. Ky i fundit gjithmonë ka qenë garantues i stabilitetit të vendit, madje edhe me një kosto të lartë politike-elektorale, sepse në fushata zgjedhore gjithmonë dilej me axhendën eurointegruese, e shumë më pak me tema të karakterit nacional.
Mirëpo në rastin e Bullgarisë, gjërat kanë ndryshuar. Faktori politik shqiptar pati qëndrim parimor deri sa nuk mori përgjegjësi direkte, për arsye se më vonë u pa që kjo përgjegjësi filloi të prodhojë efekte negative. Në opinionin publik e intelektual maqedonas tash më faktori politik shqiptar po targetohet pa të drejtë si gjoja frenuesi kryesor i normalizimit të marrëdhënineve bullgaro-maqedonase. Mjafton të ndiqen reagimet ndaj ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, i cili anatemohet dhe paragjykohet edhe për veprime për të cilat ai nuk është përgjegjës i drejpërdrejt. Ndonëse pati vullnet të mirë, faktori politik shqiptar ra një grackë që s’e kishte menduar, duke marrë përgjegjësi që nuk i takonin, aq më tepër kur oligarkive politike në Sofje e Shkup sikur iu konvenonte status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë.

Nëse tejkalimi i ngërçit në mes të Bullagarisë dhe Maqedonisë së Veriut shikohet ekskluzivisht nën prizmin e kontesteve e sherreve historike, atëherë marrëdhëniet në mes të dy vendeve vështirë se do të shënojnë ndonjë përparim kurse e ardhmja e përbashkët e të dy popujve do të groposet dikund në istikamet e shekujve të kaluar.
Nëse i hedhim një sy marrëdhënieve në mes të Bullgarisë dhe Maqedonisë, do të vërejmë se më shumë ka gjëra që i bëjnë bashkë se sa që i ndajnë këto dy shtete. Prandaj në vend se të punohet që gjërat e përbashkëta të avancohen dhe të marrin një dimension të ri të mirëkuptimit reciprok, Shkupi dhe Sofja sikur po parapëlqejnë që gjatë gjithë kohës ta mbajn shikimin në retrovizorët e historisë, por edhe këtë e bëjnë gabimisht, sepse nuk kanë arritur të gjejnë një formulë përbashkuese që do t’iu ofronte kompromis dhe avancim nga pozita zero. Ende Sofja dhe Shkupi, bie fjala, nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët sa i përket trajtimit të Holokaustit, një çështje kjo mjaft delikate e cila kërkon qasje profesionale dhe kurajo qytetare. Në fakt, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut mund të bien dakord që këtë çështje t’ia lënë Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit (IHRA) për ta trajtuar, me kusht që të dy shtetet respektive t’i pranojnë rekomandimet e kësaj organizate kredibile e që do të përfshihen në marrëveshjen finale të mirëkuptimit në me të dy vendeve.
Elitat politike në Sofje dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste e egocentrike të problemeve.
Në radhë të parë, duhet hequr dorë nga praktika e demoduar e formimit të komisoneve të historisë, dhe së dyti urgjentisht duhet anuluar rezolutat e Bullagaris dhe Maqedonisë së Veriut, të miratuara kohë më parë nga parlementet e këtyre dy shteteve, e të cilat ishin të motivuara gabimisht nga një frymë retrograde që tani po kërkon largimin e trupave të NATO-s nga kjo pjesë e Ballkanit.

Moszgjidhja e kontestit bullgaro-maqedonas është një derë e hapur për ndikimin rus në Ballkan, sidomos tani kur Kremlini pas dështimeve në Ukrainë do të mundohet ta kmpenzojë fuqinë hegjemoniste në rajonin tonë, duke motivuar fërkime sporadike në BeH e Kosovë, që do të ishin parapërgatitje e një konflikti më të madh rajonal. Propaganda ruse po punon një kohë të gjatë që pakënaqësitë sociale dhe korrupcionin institucuional të përdorin si vatra pakënaqësie për një destabilizim më të gjerë.
Paqja dhe stabiliteti rajonal do të varej shumë nga raportet që kanë në mes veti shtetet fqinje. Gjithsesi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mund të ndjekin modelin franko-gjerman për të instaluar më tepër siguri dhe paqe në këtë pjesë të Evropës Juglindore, shtete këto të cilat i tejkaluan animozitetet mes veti duke ngritur komision të përbashkët franko-gjerman në Berlin dhe Paris, i cili me vite të tëra është marrë me çështjet delikate që kishin ngarkuar raportet historike në mes të dy vendeve. Evropa u bë definitisht ambient paqësor pikërisht në saje të këtij mirëkuptimi të arritur franko-gjerman.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet sa më pare të përpilojnë një master plan të ri bashkëpunimi ku prioritet do të kishin temat nga ekonomia, turizmi, transporti, kultura, shkenca e jo temat e nxehta të historisë, të cilat duhet të kalojnë në një proces të ngadalshëm të valorizimit të së kaluarës nën optikën e perspektivës euro-atlantike. Gjithashtu është e gabuar ideja që të gjitha këto problem të hapura të vendosen brenda një kornize të caktuar kohore për t’u zgjidhur. Çdo kornizim e dëmton procesin e përafrimit, prandaj limitet kohore duhet të mënjanohen nga vokabulari diplomatik i të dy vendeve, në mënyrë që e ardhmja të mos bëhet peng i së kaluarës. Por, kjo duhet të ketë një inkurajim konkret nga Brukseli, duke përshpejtuar procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të evitohen rreziqet që vijnë nga influncimet ruse në rajon.

Të fundit