17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Pacienti nga Velesi me ethe hemorragjike ishte duke peshkuar pranë Vardarit, ka mundësi të jetë pickuar nga rriqrat

Pacienti nga Velesi, i cili është i shtruar në Klinikën Infektive si rasti i tretë me ethe hemorragjike kongo-krime të konfirmuara, ka qenë duke peshkuar afër Vardarit, ndaj ka mundësi që sëmundjen ta ketë marrë nga pickimi i rriqrës apo ndonjë insekti tjetër. Kështu tha sot në një prononcim drejtoresha e Klinikës, dr.Milena Stevanoviq. Ajo bën me dije se të shtunën në mbrëmje, pacienti është pranuar si rast i dyshimtë.

“Është pranuar tek ne, është në gjendje të mirë të përgjithshme. Analizat laboratorike kanë rezultuar se i janë ulur trombocitet, por me terapi tashmë janë normale. Një mënyrë e mundshme e infektimit është peshkimi, ai ishte duke peshkuar përgjatë Vardarit, ku është i lagësht dhe ka barëra të lartë dhe gjemba. Ky është një nga opsionet ku ai mund të infektohet. Veterinerët janë të përfshirë në monitorimin tonë diagnostiko-epidemiologjik të etheve kongo-krime në Maqedoni, ata janë në terren dhe kapin insekte dhe do t’i ekzaminojnë”, tha Dr Stevanoviq.

Pacienti nuk ka dhënë informacion për pickimin e rriqrës, pra ka thënë se nuk e ka vënë re një gjë të tillë. Dr. Stevanoviq thotë se ai kishte një plagë, e cila ende nuk është përcaktuar nëse ishte nga rriqrat apo jo. Ajo tha se tashmë epidemiologët kanë bërë anketa, kontaktet janë gjetur, kështu që përveç familjes katër anëtarëshe nën mbikëqyrje mjekësore janë edhe pesë punëtorë të spitalit të Velesit.

Transmetues kryesor i kësaj sëmundjeje janë insektet, pra rriqrat, por ajo tha se infeksioni mund të transmetohet edhe nëse konsumohet qumësht dhe mish i trajtuar në mënyrë joadekuate nga një kafshë tashmë e infektuar.

“Në grupin e rrezikut përfshihen punonjësit e shëndetësisë që janë në kontakt me pacientë të sëmurë, blegtorët, peshkatarët, gjuetarët që mund të infektohen nga pickimi i drejtpërdrejtë i insekteve. Këtu përfshihen ata që therin kafshë. Tani është ngrohtë, njerëzit kalojnë shumë kohë në natyrë. Duke qenë se po flasim për një vendndodhje të ndryshme të infeksionit nga dy të mëparshmet, duhet të jemi të kujdesshëm. Peshkatarët duhet të veshin çizme të larta dhe veshje të përshtatshme, alpinistët duhet të veshin çizme të larta dhe çorape të larta. Punonjësit shëndetësorë nuk duhet të harrojnë protokollin bazë të rregullt për punën me secilin pacient”, thekson dr. Stevanoviq.

Në vend deri më tani janë regjistruar gjithsej tre raste me këtë sëmundje. Rasti i parë ishte një paciente 27 vjeçare nga Shtipi e cila ka ndërruar jetë dhe nga ajo është infektuar një infermiere në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, e cila po trajtohej në klinikë. Prej disa ditësh ajo merr medikamentin Ribarivin, i cili është blerë nga jashtë dhe përdoret për manifestimet e rënda klinike të sëmundjes. Dr. Stevanoviq informoi sot se pacienti është stabil, shërimi është në vazhdim dhe nuk priten komplikime.

Të fundit