24/04/2024
14.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Fati i mbi 100 shtëpive të ndërtuara pa leje, varet nga vendimi i BFI-së

Myftinia e Tetovës, pa vendim konkret se si do të veprohet me rreth 100 shtëpitë të cilat janë ndërtuar në mënyrë ilegale në pronën e BFI-së. Edhe pse një numër i madh i shtëpive janë ndërtuar përpara se toka t’i kthehet BFI-së, nga Myftinia e Tetovës thonë se këtë vendim pritet ta marrë Qendra apo Bashkësia Fetare Islame në Shkup. Nga Myftinia e Tetovës, po ashtu ngrenë dyshimet se një pjesë e banorëve që kanë ndërtuar shtëpitë në pronën e BFI-së, kërkojnë që ta blejnë tokën por jo nga pronari i saj Bashkësia fetare Islame, por nga shteti, edhe atë me çmim prej një apo dy eurosh për metër katror.

“Gjithçka që është bërë në vijë jo ligjore, konsekuencat janë ligjore dhe duhet ta mendonin vetë ata. Leje nga Myftinia si pronare e pronës, apo nga Bashkësia Islame deri më tani nuk ka askush. Kërkesat janë të shumta në dikasterin e vakëfit, por për momentin Bashkësia fetare Islame nuk ka ndonjë propozim. Myftinia do del me propozim por vendimin do e merr BFI si kryesuese e vijës ligjore në BFI. Banorët duhet ditur mirë që ajo nuk është pronë e shtetit por ajo pronë ka pronar me emër dhe mbiemër. Pra BFI është pronare e vendit, dhe fatin e atij vendi do e caktoj vetëm BFI dhe assesi dikush tjetër”, tha Namik Xhaferi, Sekretar i Rijasetit të Tetovës.

Nga ana tjetër, edhe komuna shprehet e pafuqishme për ta zgjidhur këtë problem. Kreu i komunës Bilall Kasami thotë se, komuna do të ndihmojë në tejkalimin e këtij problemi, megjithatë kur është fjala për tokë që është e privatizuar, e në këtë rast BFI, pëlqimin banorët duhet ta marrin nga BFI-ja për të mundur të legalizojnë shtëpitë e tyre.

 

“Kemi treguar gatishmëri që ashtu si zgjodhëm më se 1500 lëndë të ndihmojmë të zgjidhet edhe çështja për këta persona që të kenë prona ligjore. Këtu problematike është se bisedohet për prona të denacionalizuara për Bashkësinë islame dhe mundësitë e komunës janë të kufizuara. Për momentin ne nuk kemi ndonjë zgjidhje juridike që këta prona apo këtë tokë nën shtëpitë e ndërtuara pa leje të mund ta marrim nën pronësi si komunë e pastaj t’ua shesim konform Ligjit për legalizim të objekteve”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

 

Ndryshe, në tokën e cila llogaritet si vakëf, apo pronë e Bashkësisë fetare Islame janë ndërtuar rreth 100 shtëpi në mënyrë jo ligjore, pronarët e të cilave, tani kërkojnë nga Bashkësia fetare Islame e Maqedonisë që t`iu jepet pëlqimi për legalizimin e tyre. Por, në bazë të Kodit Islam, vakëfi nuk është e lejuar që të tjetërsohet apo të shitet, andaj edhe pëlqimet për legalizimin e shtëpive të ndërtuara në vakëf, për momentin nga BFI nuk lëshohet. /Alsat.mk

Të fundit